TIRANË- Një “Lamborghini Urus” me vlerë 160 mijë euro dyshohet se është blerë me para që janë përfituar nga aktivitete kriminale. Makina luksoze u ndalua nga forcat “Shqiponja” në rrugën Sauk-TEG. Në timon ishte Sahit Shpataj, 34 vjeç, me origjinë nga Kukësi.
“Bisha” e verdhë ishte regjistruar në emrin e një kompanie private ndërtimi në pronësi të Ervin Dullës. Hetuesit kanë krijuar bindje të bazuar në prova, se Lamborgini ka tjetër pronar në letra, e tjetër pronar në të vërtetë.
Regjistrimi në emër të kompanisë së ndërtimit, sipas hetuesve është bërë, pasi pronari real nga Kukësi nuk e justifikonte dot 160 mijë euro me burim të deklaruar financiar. Të dy, si i riu nga Kukësi, Sahit Shpataj dhe ndërtuesi Ervin Dulla po hetohen nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Policinë e Tiranës.
"Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”. Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë. Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij. Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas", njoftoi Policia e Tiranës.
Kohët e fundit, i riu ka refuzuar 2 herë t’i ndalojë policisë për kontroll të cilët e kanë pikasur me të njëjtin automjet. Në vijim, pritet një hetim i plotë i pasurive të 34-vjeçarit kuksian në përpjekje për të dokumentuar nëse janë apo jo të ngritura me para krimi.
Report Tv mësoi përmes burimeve policore se 34-vjeçari jeton përgjithësisht në Amerikën Latine, ku dyshohet se është përfshirë në aktivitete të paligjshme. Sahit Shpataj rezulton i arrestuar zonën e Kamzës në vitin 2014, pasi hiqej si polic dhe u merrte para qytetarëve. Në vitin 2024 është arrestuar për dhunë në familje pasi ka dhunuar bashkëjetuesen, e cila është pajisur më pas me urdhër mbrojtjeje.
1 vit më parë i riu nga Kukësi ka hapur edhe një lavazh në zonën e Kasharit i regjistruar në emrin e tij dhe që vijon ende aktiv.
'Lamborghini Urus' që u sekuestrua
Sahit Shpataj, të cilit iu sekuestrua ‘Lamborghini Urus’ me vlerë 160 mijë €
Report Tv ka siguruar foton e të riut Sahit Shpataj, të cilit iu sekuestrua një mjet luksoz, ‘Lamborghini Urus’ me vlerë 160 mijë €. Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se i riu jeton në Amerikën Latine.
Mësohet se para se të nisnin hetimet për origjinën e këtij mjeti luksoz, i riu nuk i ka ndaluar dy herë postbllokut të Policisë. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme ai është ndaluar në aksin në aksin rrugor “Sauk-TEG”, në kuadër të operacionit “Manovra” ku iu komunikua edhe vendimi për sekuestron e mjetit.
Komente

Po ky subjekti nuk u penalizua?
Përgjigju