Më shumë se 1 mijë krerë bagëti të imta janë asgjësuar për shkak se janë prekur nga murtaja.
Ministria e Bujqësisë njofton se prej datës 4 qershor e deri më tani janë prekur 8 ferma në 6 bashki të vendit. Për shkak të murtajës kanë ngordhur 39 krerë dhe 1082 të tjera kanë pasur kontakt me to, për këtë arsye janë asgjësuar.
Aktualisht janë 39 grupe që po kontrollojnë fermat në terren për të shmangur përhaphen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël.
Aktualisht janë monitoruar 1,673 ferma me 270 mijë krerë të imta, ndërkohë që ju bëhet thirrje fermerëve të njoftojnë menjëherë veterinerin e zonës nëse vërejnë shenja të dyshimta tek kafshët.
Njoftimi i plotë
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me institucionet e varësisë po zbaton masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në të gjithë vendin.
Që prej datës 4 qershor 2025 Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë (AKVMB), kanë monitoruar gjithsej 1,673 ferma me 270,925 krerë të imta (dele dhe dhi).
Deri më tani, kanë rezultuar 8 ferma pozitive, në 6 vatra të ndryshme.
Veterinerët zyrtarë janë në terren, duke kontrolluar fermat, tregjet dhe rrugët për të parandaluar lëvizjen e pakontrolluar të kafshëve.
Fermerë, nëse vini re shenja të dyshimta tek kafshët, njoftoni menjëherë veterinerin e zonës tuaj!
Së bashku mbrojmë:
Shëndetin e kafshëve
Ekonominë blegtorale
Sigurinë ushqimore
Komente
