KUKËS- Gjuha blu, një sëmundje infektive e kafshëve të imta, po përhapet me shpejtësi në zonat malore të Kuksit. Deri më tani, sipas veterinerit të bashkisë, Mirdaim Ibrahimaj kjo sëmundje, ka prekur rreth 300 krerë e kryesisht është përhapur fshatin Novosej.
“Sipas informacioneve që kemi janë të prekura 300 krerë. Tek 2% është ngordhja. Tani nuk është agresive, pasi “Gjuha Blu” mortalitetin e ka të lartë. Kjo sëmundje është prezentë. Fermerët duhet të kenë kujdes. Kemi njoftuar dhe shenjat klinike. Ju bëjmë thirrje që për çdo konstatim fermerët duhet të futen në lidhje me shërbimin veterinar të bashkisë”, tha veterineri, Mirdaim Ibrahimiaj.
Fatmirësisht sipas Ibrahimajt, kjo sëmundje nuk transmetohet tek njeriu. Ndërsa kontaktet me fermerët e prekur janë të përditshme. Ai i këshilloh për mënyrat e parandalimit dhe mjekimeve frenuese, pasi në Shqipëri nuk ka vaksinë për “Gjuhën Blu”.
"Kjo sëmundje është infektive, por jo e transmetueshme tek njeriu. Kjo duhet theksuar për mos të krijuar panik. Mishi nuk është problem. Mishi I kafshëve të shëndosha mund të konsumohet. Por është një sëmundje që sjell dëm ekonomik tek fermerët. Vaksinën shteti shqiptar nuk e ka. As në Ballkan nuk ka. Kemi bërë rekomandime që të gjendet një lloj mjekimi që nuk jep rezultat, por ndihmon kafshën”, shtoi Ibrahimiaj.
Zona e Kukësit, numëron rreth 20 mijë krerë të imta, me të cilat pjesa dërmuese e zonave rurale, sigurojnë të ardhurat dhe mbajnë ekonomitë e tyre familjare.