‘Pesta amerikane’, një sëmundje ngjitëse që prek vezët e bletëve ka zhdukur koloni të tëra bletësh duke u shkaktuar bletërritësve humbje të mëdha financiare veçanërisht gjatë vitit 2024.
Një prej bletërritësve më të mëdhenj në Fier, Ferdinand Muskaj pohon për mikrofonin e Report TV se në mungesë të veterinereve të specializuar për bletarinë, bletërritësit janë gjendur në vështirësi për trajtimin e kësaj sëmundje.
“U shfaq tek bletët një sëmundje “pesta amerikane” që solli humbjen e kolonive. Bletërritësit nuk e nuk dinin si ta kuronin. Për fatin tonë të keq nuk kemi mjek veterinar që i njeh bletët”, tha Ferdinand Muskaj, bletërritës.
Muskaj sqaron se kosheret e infektuara me këtë sëmundje duhen djegur pasi nuk ka trajtim specifik gjë që shumë bletarë e nuk e dinë. Po kështu një sëmundje tjetër e rrezikshme për bletët është ajo e nozemës.
Muskaj i cili ka të matrikulluara 500 koshere ka pohuar se ky sektor përballet me vështirësi të shumta pasi edhe ligji për bletarinë nuk ka funksionuar dhe nuk u ka ardhur në ndihmë konkrete bletërritësve.
“Ligji është miratuar por nuk funksionon sepse ministria nuk ka nxjerr aktet nën ligjore. I bëj thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit të Veterinarisë të krijojnë një ekip dhe tu vijnë në ndihmë bletarëve”, tha Muskaj.
Përballë kësaj situate bletërritësi i bën apel Ministrisë së Bujqësisë t’i vijë në ndihmë këtij sektori me masa parandaluese dhe njëherazi informacione për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme të bletëve.
Komente
