Sëmundjet e zemrës po prekin gjithnjë e më shumë popullatën në qarkun e Korçës. Sipas statistikave në vitin 2024 u regjistruan 323 pacientë me parainfarkt, kurse në 2023 ishin 312. Faktorët që ndikojnë sipas, shefes së Kardiologjisë në Spitalin Rajonal të Korçës janë plakja e popullsisë, jeta sedentare, konsumi i alkoolit, duhani, ushqimi i pashëndetshëm etj.
“Korça zë vendin e parë në vend, bazuar në të dhënat e shoqatës së kardiologëve. Kjo ndoshta për shkak të plakjes së popullsisë por trendi është në rritje dhe për moshat e reja. Nëse përpara ngushtimi i enëve të gjakut prekte moshën 55 vjeç e lart tani ka dhe të rinj, 30 vjeçarë që kanë vendosur stenda, kanë bërë koronare”, tha Ilda Lera, shefe e pavionit të Kardiologjisë.
Por cili është faktori kryesor i vdekjeve të papritura dhe si mund të parandalohen?
“Tek moshat e reja janë artimitë madhore dhe sëmundjet koronare. Një pjesë janë me natyrë të lindur dhe një pjesë tjetër ndikohet nga stili i jetësës, konsumimi i cigares dhe ushqimi i pashëndetshëm”, tha ajo, duke shtuar se meshkujt janë më të prekur.
Ndërsa për të sëmurët kronike gjendja përkeqesohet në dimer për shkak të kushteve atmosferike dhe virozave.
“Stina e dimrit ka mbingarkesë në fluks për shkak të gjendjes së insuficiencës së pacientëve kardiakë kronikë pasi komplikohen nga virozat. Numri i të hospitalizuarve është më i madh”.
Në dy vitet e fundit kanë humbur jetën nga sëmundjet e zemrës 32 persona në Korçë.
Komente
