Ndërron jetë dy muaj pas atentatit senatori konservator kolumbian, njëkohësisht edhe kandidat presidencial, Miguel Uribe Turbay.
Vdekja e tij u njoftua sot (11 gusht), më shumë se dy muaj pas sulmit me armë gjatë një tubimi elektoral në Bogotën perëndimore.
Konfirmimin për ndarjen nga jeta të 39-vjeçarit e bëri gruaja e tij, Maria Claudia Tarazona, në një postim në rrjetet sociale.
“I lutem Zotit të më tregojë rrugën për të mësuar të jetoj pa ty. Pusho në paqe, dashuria e jetës sime. Unë do të kujdesem për fëmijët tanë”, u shpreh Maria, sipas raportimit të BBC.
Uribe Turbay u plagos rëndë më 7 qershor, gjatë një tubimi në lagjen Fontibón, kur një person i armatosur e qëlloi në kokë dhe këmbë. Ai qëndroi nën kujdes intensiv deri në momentin e vdekjes.
Një i dyshuar adoleshent u arrestua në vendngjarje, ndërsa autoritetet kanë arrestuar edhe disa persona të tjerë në lidhje me sulmin.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në vend dhe ka ringjallur frikën për një rikthim të valës së dhunës politike që shënjoi vitet 1990, periudhë në të cilën u vranë tre kandidatë presidencialë, raportojnë mediat lokale.
Komente
