Senatorja e Shteteve të Bashkuara, Jeanne Shaheen, tha të premten se shpreson se Serbia do të bashkëpunojë për hetimin e sulmit të shtatorit ndaj Policisë së Kosovës dhe se përgjegjësit do të sillen para drejtësisë. Shaheen tha se “ne jemi këtu për ta mbështetur Kosovën”, duke iu referuar vizitës së saj dhe senatorit Peter Welch në Prishtinë të premten, ku u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Vizita e Shaheen dhe Welch në Prishtinë vjen rreth tri javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë.
Duke folur rreth kësaj ngjarjeje, Shaheen, e cila është senatore e Nju Hampshir që nga viti 2009, tha: “Kjo na tregon, po ashtu, se për paqe dhe stabilitet afatgjatë këtu në Kosovë, është një mundësi për të vazhduar me mbështetjen e Evropës dhe Shteteve të Bashkuar për gjetjen e një bashkëjetese paqësore dhe afatgjate me Serbinë.” Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Më 3 tetor, Radoiçiçi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë, por pa pasaportë dhe me ndalesë për të shkuar në Kosovë. Presidentja Osmani tha pas takimit se me senatorët bisedoi për ngjarjet e 24 shtatorit kryesisht, duke e akuzuar Serbinë se po “synon ta destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor duke vepruar si satelit i Rusisë”. Ajo tha se gjëja më e rëndësishme tani për ta “parandaluar Serbinë nga kryerja e akteve të tilla të agresionit në të ardhmen, është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit dhe t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që ata të përballen me sistemin tonë të drejtësisë”./REL
KOSOVË- Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch sot do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani, do t’i presë dy senatorët nga ora 9:15. Ndërkaq, në ora 10:00, Shaheen dhe Welch do të takohen me kryeministrin Kurti.
Është bërë e ditur se në të dy rastet do të ketë deklarata për media. Për vizitën e senatorëve amerikanë në Kosovë, njoftoi vetë Shaheen.
“Senatori Peter Welch dhe unë jemi në Ballkanin Perëndimor për të siguruar aleatët tanë se SHBA-ja është e angazhuar në mënyrë aktive dhe mbështet aspiratat demokratike të kombeve të tyre. Pres me padurim që të kem biseda thelbësore me drejtues dhe zyrtarë lokalë gjatë gjithë vizitës”, ka shkruar ajo në “X”.