TIRANE - Sot është dita e dytë e nismës sensibilizuese të Report Tv për mbajtjen e maskës. Ashtu si 6 ditë më parë, stafi i Report Tv do të punojë para kamerave duke përdorur maska, në ambient të hapur ashtu si edhe në ambient të mbyllur.
Nisma është sensibilizuese për të ndërgjegjësuar opinionin publik mbi rëndësinë e përdorimit të maskës si një nga format kryesore për ruajtjen nga Covid19. Përdorimi i maskave nga të gjithë redukton në nivelin 1.5 % mundësinë e infektimit. Nuk është turp, mbaj maskë edhe ti!
Deputeti Eljo Hysko, një prej të prekurve në parlamentin shqiptar në një lidhje në skype në edicionin qendror ka përshëndetur nismën e stafit të Report Tv për mbajtjen e maskës gjatë trasmetimit live dhe pas kamerave.
"Urime për profesionalitetin tuaj, është e lodhshme të rrish me maskë, e keni bërë më mirë se çdokush tjetër", tha Hysko.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka përshëndetur nismën e "Report Tv", për vendosjen e maskave të të gjithë stafit.
Ai ka thënë se kjo është një nga nismat më të mira që është ndërmarrë në të gjithë mediat shqiptare.
"Kjo është një nga nismat më të mira. Maska shpëton jetë. Kjo duhet të jetë motoja e jona dhe e juaja. Kemi parë se minimumi i uljes është vetëm nga maska me 30%. Duke parë këtë shikojmë se sa i rëndësishëm është mbajtja e maskës.
Por ajo që doja të përcillja, është se nuk iu kërkohet ndonjë sakrificë e madhe, asnjë lloj shpenzimi po vetëm mbajtja e maskës. Nuk e shoh të arsyeshme se pse mos të mbahet maska.
Për fatin e mirë shifrat që kemi thënë edhe herë tjetër qëndrojnë. Që ka një përqindje të lartë të pacientëve që shërohen. Ka një përqindje shumë të lartë të personave të infektuar që nuk kanë simptoma. Ka një përqindje të madhe të të rinjve, të cilët nuk kanë simptoma të sëmundjes, por që ua përcjellin këto familjarëve të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
"Maska ime mbron ty dhe maska jote më mbron mua" kjo është motoja. Nuk na mbetet gjë tjetër përveç se të presim vaksinën. Shteti fqinj Italia do ta nxjerrë vaksinën në muajin janar", deklaroi për "Report Tv", Skënder Brataj.
Deputeti Ralf Gjoni përshëndeti nismën e Report Tv për sensibilizimin për mbajtjen e maskës për të parandaluar përhapjen e COVID-it. Në një intervistë me moderatoren Aida Tancica, Gjoni u shpreh se është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dyshon se u infektua në zyrat e parlamentit. Ai përshëndeti votimin sot në Kuvend për hapjen e listave.
"Jam ok-ej, po kaloj një formë të lehtë të virusit, duhet të jem me fat falë imunitetit, por duhet të kalojë i gjithë cikli 14 ditor për të bërë testin tjetër. Jam i qetë për ta mundur këtë virus, po mundohem të mos marr asnjë ilaç. Ju përgëzoj juve për nismën tuaj dhe për maskat që po i reklamoni dhe po i sensibilizoni qytetarët, por e rëndësishme është që qytetarët duhet të jenë shumë herë më të përgjegjshëm, pasi ka një përhapje të frikshme.
Në dy javët në vazhdim do të shikojmë një shifër rekord numrat. Prandaj nëse keni gricje të fytit, debulesë, zënie hundësh, etj, mos e neglizhoni, kërkoni që të bëni tamponin dhe izolohuni. Është e vështirë ta lokalizoj infektimin, besoj se jam infektuar nga fillimi i javës së kaluar në zyrat e parlamentit, por nuk e them me siguri, me shumë gjasa.
Kam qenë shumë i kujdesshëm, por mesa duket nuk i shpëtova. Dita e diel më bëri të dyshoj, kisha gricje fyti dhe pak temperaturë dhe isha me 20% të kapacitetit të nuhatjes. Kërkova të bëj tamponin si një siguri për ta pasur përgjigjen negative për të qenë në seancë, prisja të vinte përgjigja negative.
Nuk e donte fati të isha në Kuvend për të votuar për hapjen e listave që e kisha kauz. Doja të votoja, por rregulloja nuk e lejonte votimin në distancë. Sot u zhbë masakra e 2008. I hapet rrugë ndryshimit të kodit zgjedhor nga shtatori e tutje, që shqiptarët të vendosin se kush do të jetë në parlamentin e ardhshëm. Turp për të gjithë ata që votuan kundër" tha ai.
Në ditën e dytë të nismës së REPORT TV për vendosjen e maskës dhe mbrojtjen nga koronavirusi, edhe këtë të enjte personazhet e ekranit do të jenë në transmetim me maska mbrojtëse e ndërsa pas kamerave çdo ditë punohet duke respektuar masat anti-covid, si në redaksi por edhe në terren e kudo. Në mesazhin e saj moderatorja Migena Sotiri nënvizoi se sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm pasi me rritjen dhe shtimin e rasteve me të prekur me covid mund të shkohet në një situatë më të rëndë, ndaj respektimi i jetës dhe shëndetit është detyrë morale dhe qytetare e kujtdo.