Platini dhe Blatter

Sepp Blatter tregon anën e errët të futbollit, ish-kreu i FIFA: Sarkozy vendosi se ku do zhvillohej Botërori 2022, më pas Katari i bleu Francës avionë për 15 miliardë dollarë

8 Nëntor 2022, 12:48| Përditesimi: 8 Nëntor 2022, 17:14

  • Share

Ish-kreu i FIFA, Sepp Blatter ka folur për mediet në Zvicër duke treguar anën e errët për marrjen e vendimeve në futboll. Blatter tregon se përzgjedhja e Katarit si vend pritës i Botërorit 2022 ishte një vendim i ish-presidentit të Francës në atë kohë, Nicolas Sarkozy. I liruar nga akuzat për korrupsion, Blater bën me dije se ai dhe anëtarët e tjerë të FIFA votuan për alternativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa vota e Michel Platini dhe anëtarëve të UEFA bëri që peshorja të anonte nga Katari.

"Zgjedhja e Katarit ishte një gabim i madh. Tashmë ishte rënë dakord që Rusia të ishte mikpritëse në vitin 2018 dhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishin mikpritëse e Kupës së Botës në 2022. Duhet të ishte një gjest paqeje për këto dy shtete, sepse do të kishin mundësinë që të organizonin Kupën e Botës njëra pas tjetrës", tha fillimisht ish-kreu i FIFA.

Blatter tregoi edhe për takimin e Sarkozy me ish-kreun francez të UEFA, Platini. Sipas tij një telefonatë e Platini disa ditë para kongresit të 2010 ku u vendos për Katarin ndryshoi planet. Ish-zyrtari më i lartë i futbollit botëror shkon më tej kur thotë se e gjitha kjo u bë për para nga Sarkozy, pasi gjashtë muaj më vonë Katari bleu disa avionë luftarakë nga Franca për 15 miliardë euro.

"Shtatë ditë para Kongresit të FIFA-s në vitin 2010, Michel Platini më telefonoi. Ai tha se plani ynë nuk do të ishte i mundur të realizohej. Ai më tha se kishte marrë një telefonatë nga presidenti Sarkozy i cili sapo kishte përfunduar një takim me njeriun e parë të Katarit. Sarkozy më pas i tha Platinit se donte që Katari të presë Kupën e Botës. Unë isha kundër, por Platini më pyeti se çfarë do të bëja nëse presidenti do të më kërkonte diçka. Në fund janë katër votat e sjella nga Platini që vendosin se Katari do të jetë pritës i Botërorit në vend të SHBA-së. Kjo është e vërteta. Sigurisht, gjithçka ishte për para. Gjashtë muaj më vonë, Katari bleu avionë luftarakë për Francën, me vlerë pothuajse 15 miliardë euro", tha Blatter.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?