Ka kaluar pas më shumë se 8 muajsh për gjykim, dosja e 17 personave të përfshirë në kultivimin e kanabisit, që u zbulua në sera në fshatin Drenovicë të Beratit.
Vendimi u dha këtë të premte nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që u depozitua në muajin janar të këtij viti, duke çuar në gjyq “grupin e drogës”.
Pjesë e grupit janë shtetasit Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj, Mirvaldo Disha, Hamdi Dyli, Samoel Lushaj, Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.
Në këtë grup ishin të përfshira edhe 93 gra, punonjëse në këtë aktivitet të paligjshëm, por SPAK shpalli moskompetencë për to.
Një hapësirë toke nga 10 deri në 20-27 dynym, në zonën e Rërës, Drenovicë (Berat) në 4 sera të mbyllura me plastmasë ishin përdorur për të kultivuar dhe përpunuar lëndën narkotike.
Organizimi i aktivitetit kriminal kishte nisur në Dhjetor të vitit 2021, ndërsa u shtri gjatë periudhës Qershor-Nëntor 2022 dhe më datë 10 nëntor 2022 u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 871.4 kg kanabis (produkt bime “canabis sativa L”), e cila u zbulua në 769 arka plastike dhe brenda 11 thasëve prej plastmasi ngjyrë të zezë, gjithashtu u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri dhe municion luftarak.
Të gjithë pandehurit dhe veçanërisht dy të akuzuarat femra, janë marrë me “rekrutimin” e krahut të punës/fuqisë punëtore nga qytete e rrethina të Shqipërisë, kundrejt joshjeve për pagesa të mira ditore për të punuar në sera, transport falas dhe sigurimit të fjetjes në ambientet sera, ku ishin krijuar edhe fjetore.
Komente
