Politikanët serbë të Bosnjës kanë deklaruar se do të bojkotojnë institucionet e vendit në protestë ndaj vendimit të përfaqësuesit të lartë të Kombeve të Bashkuara për të ndaluar mohimin e gjenocidit.
Masa për të bllokuar vendimmarrjen vjen pasi Valentin Inzko vendosi një numër ndryshimesh në kodin penal të vendit javën e kaluar, në të cilin theksohet se personat të cilët do të mohojnë gjenocin serb do të dënohen deri në 5 vite heqje lirie.
Por pas një takimi me të gjitha partitë politike serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, përfaqësuesi serb i presidencës së përbashkët të Bosnjës - denoncoi ndryshimet.
"Ne nuk do të jetojmë në një vend ku dikush mund të imponojë një ligj duke e publikuar në faqen e tij të internetit," tha Dodik.
Përfaqësues të tjerë politikë serbë të Bosnjës thanë se ata e konsideruan vendimin e Inzko "të papranueshëm dhe të pavlefshëm" dhe theksuan se ata do të bojkotojnë punën e presidencës shumë-etnike të vendit, parlamentit dhe qeverisë.
Zyrtarët serbë janë akuzuar për minimizimin e masakrës së Srebrenicës në 1995, gjenocidi i vetëm i pranuar i Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Udhëheqësit myslimanë boshnjakë e kishin përshëndetur vendimin e Inzko të Premten si një ndryshim ligjor "historik".
Që nga fundi i luftës 1992-1995, Bosnja është ndarë në dy njësi autonome, Republika Srpska e drejtuar nga serbët dhe një federatë e ndarë nga myslimanët boshnjakë dhe kroatët.
Të dy janë të lidhur nga institucione të përbashkëta dhe të gjitha vendimet në nivelin shtetëror duhet të merren me konsensus të tre grupeve etnike.
Si i dërguari i lartë ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes, Përfaqësuesi i Lartë i Kombeve të Bashkuara ka autoritetin për të vendosur ligje ose për të shkarkuar zyrtarë që minojnë ekuilibrin etnik të pasluftës dhe përpjekjet e pajtimit.