Serbët festojnë ‘Vidovdanin’, Spahiu: Mund të kryejnë veprime për komplikimin e situatës, e gjithë Kosova nën ‘ethe’

28 Qershor 2023, 14:15| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 14:35

  • Share

Analisti Nexhmedin Spahiu në një lidhje skype për 'Sot Live në Shqipëri' me gazetarin Nertil Agalliu në Report TV, duke folur për festën e Vidovdanit që po festohet sot nga serbët në Graçanicë (zonë në jug të Prishtinës), tha se qytetarët e Kosovës janë nën ethe me frikën se gjatë festimeve serbët do të kryejnë veprime politike që mund ta komplikojnë situatën tashmë të tensionuar.

Në festën e serbëve në Vidovdan është parë edhe Danilo Vuçiç, djali i Aleksandër Vuçiç i cili me mbishkrimin e bluzës së tij ‘Dorëzimi nuk është opsion’ ka tentuar të ngjallë provokime.

Sipas Spahiut, frika për përshkallzime të tensioneve është e pranishme gjatë kësaj dite të shenjtë për serbët.

“Mbishkrimi i djalit të Vuçiçit, është provokim ndaj qytetarëve të Kosovoës por nuk merret seriozisht. Ne mbrohemi të mos ketë ndonjë veprim politik nga pala serbe që situata të mos bëhet më e komplikuar. Opinioni në Kosovë edhe pse është ditë feste e Kurban Bajramit, druhen që mund të ketë përshkallëzim më të madh të tensioneve që mund të shtrihen edhe në jug sepse Graçanica ndodhet në jug të Prishtinës.  Gjithë Kosova është nën ethe nëse një gjë e tillë do të ndodhte”- u shpreh analisti.

Teksa foli për situatën në veri të Kosovës, analisti tha se shtensionimi mund të arrihet vetëm duke patur një tërheqje të policisë nga veriu si dhe arrestimi i kriminelëve serbë që kërcënojnë qytetarët e thjeshtë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë komunash. Spahiu shtoi se nëse arrihet diçka e tillë nga ana e qeverisë Kurti, atëherë qytetarët serbë do jenë të lirë të marrin pjesë në zgjedhje dhe kështu nuk do të ketë ngërç të tillë që mund të bëhet shkak për tensione të mëtejshme.

“Shtensionimi nga ana e Kurtit arrihet duke u dorëzuar, duke u tërhequr të lërë veriun në kontrollin e Serbisë dhe e dyta duke vijuar betejën deri në fund duke arrestuar struktura të dhunshme të serbëve.  Nëse arrin t’i arrestojë këto struktura të dhunshme atëherë nuk do ketë kush t’i kërcënojë serbët në veri që mos të marrin pjesë në zgjedhje dhe më pas do ketë mundësi të zbatohet demokracia dhe legjitimiteti pasi do të zgjidhen kryetarë komunash që përfaqësojnë qytetarët atje”- shtoi Spahiu.

Sot në Graçanicë, serbët festojnë ‘Vidovdanin’ një ditë të shenjtë për ta, ku kujtojnë betejën e Fushë-Kosovës ndaj Perandorisë Osmane në vitin 1389, ku drejtues i ushtrisë ballkanike ishte Car Llazari, figurë kombëtare e serbëve. 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?