Pamje nga protesta

Serbët në Mitrovicë të Veriut protestojnë kundër ndalimit të dinarit

12 Shkurt, 13:05| Përditesimi: 12 Shkurt, 13:14

  • Share

Në Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan më 12 shkurt kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, përkundër kundërshtive nga serbët lokalë dhe faktori ndërkombëtar.

Protesta, që u përkrah nga sindikata e punëtorëve serbë që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, u mbajt pranë urës kryesore mbi lumin Ibër.

Pjesëmarrësit në protestë ishin nga të gjitha komunat ku jetojnë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Tek ura mbi Ibër ishin të pranishëm pranishëm pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në fillim të protestës, organizatorët thanë se përmes saj po ngrihet “zëri kundër padrejtësisë dhe përndjekjes së Prishtinës për të hequr dinarin e fituar me mund”.

“Vendimi për të hequr dinarin, për të na pamundësuar tërheqjen e pensioneve të merituara, do të thotë se po merret buka e gojës, po na ndërpritet jeta”, tha në emër të pensionistëve, Dushanka Qoroviç.

Ajo shtoi se është gënjeshtër që serbët mund të hapin llogari në bankat në Kosovë, sepse sipas saj, ato “nuk pranojnë fondin pensional serb”.

Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.

“Duhet të anulohet ky vendim dhe të mundësohet dërgimi i dinarëve në postat tona, në bankat tona", tha Dushanka Qoroviç.

Në emër të punëtorëve shëndetësorë foli Dragisha Milloviç nga Qendra Spitalore Klinike, përndryshe nënkryetar i Listës Serbe.

“Ky vendim drejtpërdrejtë shënjestron popullin tonë serb dhe kërcënon mbijetesën dhe qëndrimin e tyre nëse mbetet në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zhbërjen e institucioneve serbe në këto zona”, tha Milloviç.

Milloviq ftoi përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it që të ndalojnë vendimin e BQK-së dhe ai të shfuqizohet, duke shtuar se “[kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk ka të drejtë të ndalojë dinarin”.

“Serbia ka të drejtë të financojë qytetarët e saj, për çka është rënë dakord me marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013 dhe 2015, dhe aty thuhet se financohen shkollat, kopshtet, spitalet, pushtetet lokale, të cilat në fakt janë themelet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, për fat të keq, ai asociacion që është dashur të formohet 11 vjet më parë, shohim se Prishtina ende nuk dëshiron ta formojë, dhe Brukseli, që është garantuesi i zbatimit, hesht”, theksoi Milloviç.

Në emër të punëtorëve të arsimit, Vesna Martinoviq, që udhëheq shkollën fillore në Uglarë, kërkoi që “të mos mohohet e drejta për të fituar”, duke theksuar se vendimi i Prishtinës nënkupton se do t’iu vihet “çelësi të gjitha shkollave serbe”.

“Çfarë po kërkohet nga ne? Të dëgjojmë, të respektojmë çdo vendim që merr Prishtina? Të shikojmë në vendkalimet administrative për të marrë pagat? A është e mundur kjo?”.

“Thonë se ju duhet të hapni një llogari dhe unë po pyes se në bazë të cilave kontrata, të cilat do të janë të pranueshme për bankat që operojnë në sistemin e Kosovës. Të gjithë e dimë shumë mirë që është e pamundur”, tha ajo.

Sipas BQK-së, për të hapur një llogari në ndonjë prej bankave në Kosovë, nevojiten disa dokumente dhe më kryesore janë: një dokument identifikues [letërnjoftim apo pasaportë], një faturë komunale jo më e vjetër se tre muaj dhe një dëshmi mbi adresën ku jetoni, që mund të jetë certifikata e vendbanimit apo një faturë komunale në të cilën gjendet edhe adresa.

Ndërkaq, një nga protestuesit nga Zubin Potoku tha për Radion Evropa e Lirë se ai ai doli të protestonte “kundër çdo gjëje, edhe kundër atyre në Beograd dhe kundër atyre në Prishtinë”, duke shtuar se “nuk i besoj më askujt”.

Para mbajtjes së protestës, e cila zgjati për më pak se një orë, sindikata që përfaqëson punëtorët që punojnë sipas sistemit serb, i ftojë të gjithë në protestë, përkatësisht punëtorët në sektorin e arsimit, shëndetësisë, punëtorët e postës dhe ata që punojnë në minierën Trepça. Në njoftim u tha se ata kundërshtojnë lëvizjet “e njëanshme përshkallëzuese që synojnë dëbimin e popullatës serbe nga Kosova”./ REL

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Qobani: 12/02/2024 13:34

    A ban me ditë në qdo familje nga sa janë që jetojn nkorriz t’huaj të gjorët spo rahatohen,qysh moti kta e kanë shitë shpirtin,tani ju duhen përkrahës,bani durim INDUSTRIA ka vendë për të gjithë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?