Teksa në Srebrenica varroseshin eshtrat e shtatë viktimave të tjera të genocidit të vitit 1995 dhe e gjithë bota kujtonte mbi 8 mijë burrat dhe djemtë myslimanë të ekzekutuar nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe të Bosnjes dhe formacioneve paraushtarake nga Serbia, në mbrëmje serbët kaluan në provokime, duke lëshuar përpara kishës atje muzikë fyese për boshnjakët.
Mediat në Prishtinë pohojnë se pasi shumë të ftuar, delegacione ndërkombëtare, qytetarë dhe familje të pikëlluara u larguan nga Srebrenica, nisi një furi provokimesh me qëllime të qartë: të shqetësohen boshnjakët në Srebrenicë, të dërgohen mesazhe urrejtjeje dhe të kremtohej genocidi i kryer, informon media.
Muzika e vendosur përpara kishës ishte ajo e Baje Malog Knindzhe, ku në mënyrat më të tmerrshme fyhen boshnjakët, lartësohen krimet dhe bëhen thirrje për dëbim. Përmasat dhe brutaliteti i vrasjeve 30 vjet më parë në enklavën ku mijëra vetë kërkuan strehim nga forcat serbo-boshnjake – tronditën botën dhe çuan në disa dënime të profilit të lartë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Në mesin e të dënuarve me burgim të përjetshëm është komandanti i atëhershëm i forcave serbe, Ratko Mlladic, i gjetur fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid. Për presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic megjithatë, në Srebrenicë nuk u krye genocid, por vetëm krim.
Komente
