Përleshja e huliganëve serbë me futbollistët e kombëtares shqiptare, Beograd - 2014

Sport

Serbi - Shqipëri, ndeshje me rrezikshmëri të lartë! FIFA dërgon dy oficerë sigurie në Leskovac

2 Tetor, 10:05| Përditesimi: 2 Tetor, 10:13

  • Share

Ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin 'Duboçica' në Leskovac më 11 tetor, është shpallur një përballje me rrezikshmëri të lartë sigurie. Klasifikimi i tillë është bërë nga FIFA, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Federata e Futbollit të Serbisë.

Për të garantuar një mbarëvajtje të qetë, FIFA ka vendosur të dërgojë dy oficerë sigurie të specializuar, të cilët do të jenë të pranishëm posaçërisht për këtë ndeshje. Ky vendim tregon qartë rëndësinë dhe seriozitetin e sfidës, duke theksuar përgjegjësinë e të gjitha palëve për ta vendosur sportin mbi gjithçka tjetër.

Kujtojmë se ndeshja e fundit mes këtyre dy kombëtareve në Beograd, më 14 tetor 2014, u ndërpre pas incidenteve të rënda nga huliganët vendas, duke sjellë pasoja sportive dhe financiare për futbollin serb. Pikërisht për këtë arsye, autoritetet janë të vendosura të mos lejojnë përsëritjen e një skenari të ngjashëm.

Federata e Futbollit e Serbisë, në bashkëpunim me MPB-në, FIFA-n, UEFA-n dhe autoritetet e tjera kompetente, po merr masa të forta sigurie për të garantuar që ndeshja të zhvillohet në një atmosferë sportive, pa incidente dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

FIFA ka dënuar Serbinë me pezullimin e 20 përqind të kapacitetit të stadiumit dhe në Leskovac, qytetin ku u zhvendos ndeshja nga Beogradi, do ketë vetëm 6500 tifozë, në një stadium me kapacitet 8100 ulëse. Asnjë tifoz shqiptar nuk do jetë në stadium, kjo sipas një marrëveshjeje reciproke mes dy Federatave.

Që ngjarjet e 14 tetorit 2014 mos përsëriten dhe futbollistët e kombëtares shqiptare të jenë të qetë, FIFA ka marrë masa speciale për organizimin.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?