Serbi-Shqipëri, ndeshja e futbollit që pritet të jetë vendimtare për kualifikueset e Botërorit më 11 tetor, nuk do të luhet në qytetin e Leskovac siç paraprakisht ishte menduar. Federata serbe e futbollit ka ndryshuar mendje, duke e zhvendosur ndeshjen në stadiumin më të madh të vendit, në Rajko Mitiç ku luan Crvena Zvezda dhe që ka një kapacitet prej afërsisht 52 mijë vende.
Mediat serbe më herët kishin shkruar, se për arsye sigurie, ndeshjet kundër Anglisë dhe Shqipërisë do të luhen në Leskovac. Mirëpo federata serbe thotë se për këtë zhvendosje është konsultuar me UEFA-n, pasi ndeshja përveç aspektit sportiv përbën sfidë në planin organizativ dhe atë të sigurisë.
Për këtë ndryshim të federatës serbe ka patur pakënaqësi nga presidenti i vendit Aleksandër Vuçiç, i cili thotë se federata ka rënë pre e presionit, sidomos për ndeshjen me Anglinë.
“Federata nuk mundi të durojë dot as 5 minuta presionin e ambasadave të huaja. Unë isha pro që të luhej në Leskovac, por pas dy ditëve ndryshoi vendimi. Për mua njerëzit në Beograd nuk janë më të rëndësishëm se ata në Leskovac. Për më tepër në ndeshjen e fundit i dhanë një mbështetje të fortë kombëtares dhe nëse kjo do të ndodhë edhe në Beograd nuk jam i sigurt,”-u shpreh Aleksandar Vuçiç raportojnë mediat serbe.
Ndërkohë që në Serbi u vendos se ku do të luhej ndeshja e kthimit, në Tiranë tifozët kuqezi dhe aktivistë protestuan në ambientet e FSHF-së për heqjen e flamujve të UÇK-së në stadium për ndeshjen me Serbinë. E gjithë rruga pranë ambienteve të federatës u dekorua me flamuj të UÇK-së, ndërsa nuk mungoi tensioni me security-n dhe policinë. Megjithatë çdo gjë kaloi pa probleme të mëdha.
Komente
