Sali Berisha

Serbi-Rusi kërcënojnë Berishën me dosjen e UDB, dhe 'pushtimi' i kryeministrisë më 12 nëntor

31 Tetor 2022, 20:12| Përditesimi: 31 Tetor 2022, 20:22

  • Share

Një “teshtimë” të dëgjohet qoftë dhe rastësisht në Beograd dhe Moskë, dhe menjëherë efekti i saj do të ndjehet në Tiranë. E shprehur në mënyrë figurative kjo, por që shqiptarët e kanë ndjerë në kurrizin e tyre sidomos pas vitit 1990.

Kështu ka ndodhur në momentin kur po “gatuhej” shembja e Ish Jugosllavisë, por që “shpërtheu” në Shqipëri me vrasjen e katër të rinjve më 2 prill 1991 në Shkodër. Kjo skemë është shfaqur me thyerjen e embargos së naftës dhe armëve të vendosur nga OKB ndaj Milosheviçit, kur pushteti i Berishës, hapur fare e shtetërisht furnizoi me këtë lëndë të ndaluar Serbinë, duke ndihmuar fort në masakrat e makinerisë ushtarake serbe ndaj Bosnjës, Kroacisë dhe më pas Kosovës dhe ku u vranë, masakruan, përdhunuan dhe deportuan mijëra e mijëra të pafajshëm.

Problemet në Beograd e halli i tyre me Kosovën e UÇK pati një ‘dorë ndihme’ dhe nga Berisha në Tiranë, që pasi grabiti xhepat e shqiptarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes firmave mashtruese piramidale, hapi depot e armëve dhe dogjën institucionet që kishin brenda arkivat e pronësisë, tenderat dhe gjithçka që i implikonte, e shkatërroi shtetin për 3 orë dhe i la shqiptarët nën mëshirën e armëve sheshit, në mars 1997.

Halli serb ka gjetur zgjidhje sërish në destabilizimin e Shqipërisë më 14 shtator 1998, ku Berisha udhëhoqi grushtin e dështuar të shtetit, duke pushtuar kryeministrinë, RTSH e institucione të tjera dhe parkuar tanket e ushtrisë para selisë së PD, teksa shërbehej pilaf me mish në ambientet e kryeministrisë dhe të RTSH për ata që ishin “lodhur” duke pushtuar këto institucione. Paçka që grushti i shtetit dështoi me një telefonatë nga Evropa apo SHBA, që kërcënonin Berishën se nuk njohin asnjë lloj pushtetiu të ardhur me dhunë.

Ishte çështja e Kosovës në atë kohë në axhendë për zgjidhje, dhe Milosheviç ishte në hall, pagesat që kishte bërë duheshin justifikuar me sa duket. Dhe Shqipëria pikërisht në momentin kur duhej të ishte më e fortë, më e bashkuar dhe me rol të cilësuar në rajon për të qenë në krah të Kosovës, u shkatërrua nga themelet, aq sa u desh ndërhyrja e forcave të OKB për të përmbajtur marrëzinë shqiptare që qëllonin Zotin dhe njëri tjetrin, që situata të mbahej nën kontroll.

Dhe hap pas hapi, sa herë që Kosova ka qënë nën goditje apo ka pasur nevojë për mbështetje që të marrë atë që i takon, sa herë që Shqipëria ka qenë në finishin e integrimit, “dora e zgjatur” e Beogradit në Tiranë, ka punuar fort që gjithçka të kthehej përmbys, në pikën e nisjes.

Dhe ‘gishti’ drejtohet pikërisht tek Berisha e njerëzit e tij më të besuar, që fatkeqësisht tashmë nuk jetojnë më, janë ndarë nga jeta në mënyrë misterioze. Dinin shumë ata dhe sekreti mes dy vetëve mbahet vetëm kur njëri është në varr. Eshtë shprehje e vjetër sa vetë bota, por që në Shqipëri ka dyshime se është aplikuar përsosmërisht.

Të gjithë ata që kanë qënë afër Berishës nuk jetojnë më. Ata që kishin peshë flasim, që nga ish kreu i Kuvendit dhe “Mandela” i Shqipërisë Pjetër Arbnori, ish kreu i grupit parlamentar Ali Spahia, ish ambasadori ynë në Malajzi Ferit Hoti, ish themeluesi i PD Gramoz Pashko, ish ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali.

E për të përmendur si krye-vdekjet misterioze, si ajo e Azem Hajdarit, i vrarë në oborrin e selisë së PD dhe ish kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede, i cili u kthye pas azilit politik në vendet arabike, për t’u shuar ngadalë nga një sëmundje misterioze. Janë vdekje misterioze, por që askush nuk i ka marrë në analizë, jo më që të hetohen për të gjetur “rrënjen e së keqes” gjatë tërë këtyre viteve.

“Gabimi” fatal i ish liderit të Dhjetorit Hajdari e ka zanafillën në dhjetorin e vitit 1994, kur me statusin e kreut të Komisionit Parlamentar të Rendit e SHIK-ut, ngriti alarmin se janë zhdukur vetëm dosjet e spiunëve të UDB-së. Hajdari akuzoi direkt Sali Berishën, sipas tij pala më e interesuar për zhdukjen e këtyre dosjeve, duke kërkuar rikuperimin e tyre.

Historia e Hajdarit pas këtij denoncimi dihet, u përjashtua nga grupi parlamentar i PD, për pasojë dhe nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar, dhe në fund të herës i kushtoi dhe jetën, pasi u ekzekutua më 12 shtator 1998 në oborrin e selisë së PD, nën vështrimin e Berishës nga perdja e dritares së zyrës së tij në katin e dytë të selisë së vjetër të PD. Vrasje që dhe sot e kësaj dite s’është zbardhur dhe ka shumë versione.

Me gjithë premtimet e Berishës gjatë 7 viteve të opozitës së parë deri sa erdhi në pushtet në verën e vitit 2005 se do ta zbardhë këtë çështje, gjithçka u la në harresë për 8 vitet e qëndrimit në qeverisjen e vendit. Madje u “rehabilitua” dhe “vrasësi” Fatos Nano nga vetë akuzatori Berisha, të cilin e “rrëzoi” me grusht shteti, si organizator i ekzekutimit të Hajdarit. Pushteti është i ëmbël, por jo aq sa të të bëjë me “diabet” politik.

Por dhe duke parë ngjarjet e mëvonshme, si stacionimin e lidhjeve të sigurimit serb në Tiranë me ardhjen e Berishës në pushtet për herë të dytë, ku përmes serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, mikut të Berishës e familjes së tij, u arrit të futeshin në dorë jo vetëm informacionet më sekrete shqiptare dhe të NATO-s, pasi merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por u fut në dorë dhe ekonomia e vendit si dhe linjat e pastrimit të parave të pista, dhe në opozitën e dytë 2013 e vijim, shërbimi sekret serb ka pasur si pikë kontakti të fuqishme në Tiranë.

Madje ka akuza publike se Serbia e pas saj Rusia kanë pasur pikë kontakti deri ish kryeministrin, ku tërë aksioni politik dhe në opozitën e dytë e deri më tani ka lëvizur sipas ritmit të Beogradit por dhe të Moskës, sa herë që këto dy vende aspak mike ndaj Shqipërisë, kanë pasur nevojë.

E kanë thënë zyrtarët më të lartë të FBI amerikane, siç ishte deklarata e ish drejtorit Mark Rossini por dhe mediat më të mëdha malazeze, se Sali Berisha është pika e kontaktit të Moskës dhe Beogradit në Ballkan. Akuza mbetet për t’u vërtetuar, por duke parë se nuk ka pasur një përgënjeshtrim të qenësishëm për këtë akuzë, shqiptarët dyshojnë shumë se brenda opozitës shqiptare tashmë ka një “kalë Troje” të Moskës dhe Beogradit. Dhe ai është Sali Berisha

Duke parë faktin se në Shqipëri tensionohet situata deri në destabilizim sa herë kanë hall Moska e Beogradi, partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar që të gjejnë tamam “rrënjën e së keqes”, pikërisht tek dosjet e agjentëve të UDB në të gjithë Ballkanin dhe për pasojë dhe të Shqipërisë. Pikërisht sepse këto spiunë pasi qëndrojnë në “gjendje të fjetur” aktivizohen sa herë që Moskës dhe Bogradit u duhet të hapin një front të dytë destabilizimi në Ballkan. “Target” tashmë është kthyer Shqipëria, pasi këtu me sa duket kanë gjetur “punëtorët” më të mëdhenj për këtë punë, në Shqipëri kanë njerëz deri në nivelet më të larta të opolitikës të cilëve ua tundin dosjet e spiunëve.

Për këtë arsye, duke shfrytëzuar dhe të gjitha Konventat Ndërkombëtare, për deklasifikimin e raporteve të shërbimeve sekrete si dhe për të dekomunistizuar tërësisht politikën dhe shoqërinë vendet ish komuniste, partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar me insistim zbardhjen dhe të dosjeve të spiunëve të UDB-së në të gjithë rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu dhe Shqipërinë.

Më konkretisht në vitin 2015 ka patur dy kërkesa nga ana e Parlamentit Europian dhe Këshilli i Europës, përmes të cilave i është kërkuar edhe qeverisë serbe e më konkretisht Presidentit Aleksandër Vuçiç që të deklasifikojë dosjet e ish-agjentëve të UDB-së në Ballkan, pasi po bëjnë lëmsh politikën ballkanike, e cila nuk po ngre krye as pas 30 vitesh.

Mënyra e deklasifikimit të dosjeve të këtyre ish agjentëve të UDB-së është kërkuar që të bëhet sipas shembullit të Gjermanisë, e cila pas bashkimit, zbardhi dosjet e agjentëve të STAS, të cilët kishin shtrirë fijet e tyre në të gjitha vendet e Europës Lindore. Kishte mes tyre intelektualë, shkëncëtarë, madje dhe shkrimtarë të shquar, por kjo nuk e pengoi në asnjë moment këtë proces.

Asokohe, për vetë problemet që kishte Beogradi, dhe kur dhe Rusia dukej e dobët e nuk e kishte marrë akoma veten nga trauma e ndarjes, Vuçiç la për të kuptuar se mund t’i zbardhe këto dosje të UDB, referuar dhe këtyre dy kërkesave nga organizmat europianë. Por asgjë nuk bëri.

Për këtë arsye në fillimin e vitit 2019 iu kërkua sërish zbatimi i kërkesave të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës, që sipas modelit gjerman të zbardhesin dosjet e spiunëve të UDB në të gjithë Balkanit, pra dhe të Shqipërisë, kërkesë që u përsëritet Vuçiçit vit pas viti, aq sa tashmë është kthyer në një rutinë.

Presidenti serb jep gjithnjë përgjigjie pozitive, duke bërë që të “dridhen” të gjithë spiunët në këtë rajon, më shumë në Tiranë, dhe që përkthehen me “direktiva” pastaj për destabilizim dhe krijim konfliktesh, vetëm e vetëm për të lehtësuar sadopak Serbinë dhe sidomos aleaten e saj Rusinë, që në këto momente kritike për të, pasi është vënë para nga kundërofensiva ukrainase, ka nevojë për një “front” të dytë konflikti në Ballkan. Përfshirë dhe Kosovën, shtetin e dytë shqiptar, kuptohet.

Sa herë që Vuçiç bën sikur do të zbardhë këto dosje e deklasifikuar të gjithë agjentët e UDB në Ballkan e në Shqipëri, menjëherë fillojnë të “dridhurat” tek spiunët në Tiranë si dhe “procedurat” për detabilizim në Shqipëri. Kjo po shihet dhe tani në Shqipëri, kur nën “okelion” e largimit të Ramës me çdo kush nga pushteti, veç me votë nuk kërkohet, nisin kërcënimet për bllokim të arsimit, shëndetësisë, rrugëve, porteve e aeroporteve e deri në kërcënimin se do të udhëheqin turmat në protestën e paralajmëruar më 12 nëntor për të hyrë dhe në kryeministri. Pra për ta “pushtuar” atë ose për të “ngritur” në “këmbët” e kryeministrisë një tragjedi të re. E tha Paloka.

Madje i besuari i kreut të “Rithemelimit” bëri dhe thirrje për përplasje civile, duke mburrur Berishën se qëndroi si burrë në kryeministri më 21 janar 2011, qëndrim i përgjakur ky pasi Garda e Republikës me urdhër të tij vrau 4 demonstrues të pafajshëm. Paloka i bën thirrje dhe Ramës që të qëndrojë në selinë e kryeministrisë më 12 nëntor. E sigurtë që Rama s’do të jetë sepse nuk e ka mentalitetin e ruajtjes së “kullës”, për të nuk është institucioni i kryeministrit ajo godinë me tulla e llaç, por qeverisja, dhe nuk do të jetë habi, e ka bërë dhe herë të tjera, që rrotull godinës do të jenë vetëm policie femra në ruajtje. Megjithatë Berisha këmbëngul që ta dëgjojnë aty ku e paguajnë se po përpiqet shumë. Pra i shërben atij që i ka dhënë urdhërin.

Këto nuk janë teori konspiracioni apo akuza të mbështetura në faktin se Berisha është dhëndër i Serbisë apo është vëlla me Radovan Karaxhiçin sikurse e ka deklaruar ish truproja e tij më i afërt Izet Haxhia. Këto që po nënvizojmë janë situata që kanë ndodhur dhe priten të ndodhin. Kanë qënë të lidhura me një mijë e një fije me boshtin Beograd-Moskë, dhe janë aktivizuar sa herë që ua ka lypur nevoja këtyre pagatorëve. Ku Berisha dhe lidhjet e tij kanë qënë gjithnjë pronto.

Ngjarjet janë të lidhura me njëra tjetrën dhe gjithçka nuk është rastësi po të mblidhen të gjitha bashkë. Ndaj Berisha që të pastrojë veten duhet të flasë dhe të sqarojë disa elementë të lidhjeve.

Berisha duhet të sqarojë akuzën se është spiun serb, akuzë e bërë nga kreu i grupit socialist Taulant Balla, i cili publikisht nxori dhe një faksimile sekrete të vitit 1985, duke deklaruar se UDB kishte në Tiranë njeriun e vet, Sali Berisha. Pa lënë pa përgjigjie dhe deklarimet e shoferit të ambasadës shqiptare në Beograd, që e lëvizi Berishën drejt aeroportit, për të kapur linjën ajrore për në Francë, si dhe deklaratat e ish-truprojës së tij Izet Haxhia, për takimet me Arkan dhe lidhjet me botën e nëndheshme të krimit serb.

Të shpjegojë se përse përndoqi, survejoi, burgosi e nxori në pritë ish udhëheqësit e UÇK, nga Adem Jashari deri tek Hashim Thaçi. Dhe mbi të gjitha të japë një përgjigjie pa e “dredhur” se pse votoi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës rezolutën e kreut të delegacionit parlamentar të Rusisë për raportin e Dick Marty, që akuzonte UÇK e ish komandantët e saj për trafik organesh njerëzore. Janë në burgun e Hagës prej dy vitesh Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi. Vetëm për shkak të kësaj vote të Berishës që mbështeti rusët.

Dhe meqë jemi këtu, Berisha duhet të japë përgjigjie publike se ka shkuar shumë vonë, kush është Petrit Ame, njeriu i afërt familjar i kreut të SHIK Bashkim Gazidede, një shqiptar me banim në Maqedoninë e Veriut, i cili rivendosi lidhjet e vjetra të shërbimit sekret serb në Tiranë dhe do të krijonte lidhjet e Berishës me botën e nëndheshme të shërbimit sekret dhe krimit serb përgjatë gjithë viteve më pas. Si u bë “eminenca” gri e tij, dhe a ishte prapa çdo marrëveshjeje fitimrurëse për këtë grup njerëzish në Shqipëri dhe në dëm të interesave shqiptare.

Pasi shteti shqiptar, dhe pas informacioneve që mori, se Ame, i burgosur më parë në Belgjikë, për trafik droge dhe pjesë e grupimeve mafioze, ishte njëkohësisht edhe një ndër miqtë e afërt të Arkan-it, Zheljko Raznjatoviç, i njohur si kreu i paraushtarakëve serbë, i cili ishte në krye të të gjitha masakrave të realizuara me urdhër të Milosheviç-it në republikat ish-Jugosllave e Kosovë, nuk e lëvizi “gishtin”, qoftë dhe për ta pyetur. Arkani i besoi Petrit Ames pjesë të rëndësishme të kontrabandës së karburanteve, armëve dhe cigareve përmes Malit të Zi, në ish-Jugosllavi dhe më tej në tërë rajonin.

Berisha duhet të sqarojë dhe akuzat publike, pasi emri i Petrit Ames u bë i njohur, kur u bë publik një takim i pa përgënjeshtruar asnjëherë i Arkanit, ish-shef i paramilitarëve serbë me ish kreun e SHIK, Gazidede, në Maqedoni. Ndërmjetësi i këtij takimi ishte pikërisht Ame. Petri Ame dhe Arkan kishin qenë në të njëjtin burg në Bruksel-Belgjikë dhe aty ishin bërë vëllezër. Ka zëra, s’janë përgënjeshtruar akoma, se ai ka organizuar takimin e Arkan me Berishën afër “Pularisë” në Shkodër në atë kohë, si dhe ka qënë ndërmjetësi i takimit Berisha-Bulatoviç për thyerjen e embargos së OKB ndaj ish Jugollavisë për naftën dhe armët. Si u arratis Ame nga burgu dhe ku u strehua më pas. A është ai në krah të emrit të Berishës si pikë kontakti me shërbimet sekrete serbe dhe cili është tani roli i Berishës.

I përmendëm këto detaje të vogla për të treguar se sa i shqetësuar është Berisha nga kërkesat e përsëritura të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës për deklasifikimin e dosjeve të spiunëve të UDB në Shqipëri, aq sa kreu i “Rithemelimit” del tërësisht nga “binarët” kur i tunden ato para “syve” nga ana e Vuçiç. I cili i çon me mesazh dhe justifikimin se “jam i detyruar, pasi ma kërkojnë Europa dhe se është një standard, model i njejtë me atë të Gjermanisë dhe STAS”.

Nëse hapen këto dosje, shqiptarët do të shohin xhevahire, do të njohin me detaje personat që e kanë qeverisur këtë vend, duke marrë paga të majme nga listë-pagesa e Beogradit dhe Moskës. Vetëm e vetëm që të mos bëhen publikë emrat, pseudonimet dhe shërbimet që kanë kryer ndër vite në favor të tyre dhe në dëm të shtetit shqiptar, guke i kërcënuar dhe ekzistencën madje, janë gati të bëjnë gjithçka. Nuk ka asgjë të rastësishme në këtë marrëdhënie ndërvepruese.

Zhdukja e dosjeve të UDB nga arkiva e shqiptare, për të cilat ngriti zërin dhe pagoi me jetë Azem Hajdari, nuk ndikojnë aspak në zbardhjen e madhe me detaje të tyre nga ana e Serbisë, kut t’i ngushtohet “lasku” nga institucionet europiane, sado që ta zvarrisë këtë proces. Do marrë “erë” dynjaja, nga maskarallëku që kanë bërë këta patriotë të mëdhenj të tribunave, të ngjitura aty me “leje” nga vendet jomike e armike. Mos të marrë frymë ‘lirisht’ Kosova, pasi dhe aty janë me dendësi më të madhe për kilometër katror spiunët e shërbimit sekret të Serbisë. Ndaj shqiptarët në të dy shtetet nuk po bëjnë hajr deri më tani. Ndaj ka aleanca të panatyrshme mes liderëve respektivë në të dy anët e kufirit, dhe të tjerë që hahen me njëri tjetrin.

S.C//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergj: 01/11/2022 09:23

    Roli i NON GRATÈS nè kèto pothuaj 35 vjet, dihet mirè dhe shqiptarèt kanè reaguar me votè, ndaj tij. Pyetja qè kèrkon po ashtu pèrgjigje dhe rèndon edhe mè shumè gjèndjen aktuale, èshtè, çfarè ka bèrè dhe bèn kjo qeveri qè ka 1 dekadè nè pushtet, pèr sigurinè kombètare? Sa akuza monstruoze, tè bèra publike tashmè, u kèrkua tè vèrtetoheshin ose jo, nè kètè dekadè? Si ndryshoi politika e jashtme kombètare ndaj Beogradit nè kètè dekadè? A u koordinua dhe u ideua ajo nè institucionet pèrkatèse, si pasqyrim i njè strategjie kombètare apo u bè si shumè gjèra tè tjera nè kèto 35 vjet,,,sipas tekave tè bajraktarit? Kur ti kemi dhènè pèrgjigjet serioze, pyetjeve pèr "punèn" e qeverisè nè dekadèn e fundit, do kuptojmè mbase mè mirè PSE NON GRATA èshtè akoma faktor nè skenèn politike shqiptare.!!!

    Përgjigju
  • Dakord: 31/10/2022 21:41

    Puna eshte se ish shefi i sigurimit i fundit i kohes enverit tha publikisht se dosjet nuk mund te zhduken dot per 2 arsye: e para se jane te mikrofilmuara te gjitha pra edhe te zhdukurat por fevziu "harroi" ta pyeste kush i ka filmat dhe e dyta dosjet kane faqe te nderthurura me njera tjetren. Zhduk dosjen tende por te del emri ne nje dosje tjeter. Ate qe nuk e ben dot drejtesia dhe "gardianet e mikrofilmave" shpresoj ta beje zoti duke e derguar kete kriminel te ndyre drejt e ne ferr.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?