Sërish protestë në Beograd, kërkohet anulimi i zgjedhjeve

30 Dhjetor 2023, 13:39| Përditesimi: 30 Dhjetor 2023, 16:05

  • Share

Disa mijëra protestues dolën sërish në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, të shtunën për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Protesta u thirr nga iniciativa civile joformale, ProGlas, e nisur nga figura të njohura publike.

Organizatorët thanë se kërkesa e ProGlasit është që brenda gjashtë muajve të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi, “pas procesit të ndryshimit rrënjësor të kushteve zgjedhore”.

Ata thonë se është “tradhtuar” vullneti elektoral i qytetarëve.

Në Serbi janë mbajtur një varg protestash pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të nxitura nga akuzat për vjedhje elektorale nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila shpalli fitoren në të gjitha nivelet.

Koalicioni më i madh opozitar "Serbia kundër dhunës" e akuzoi SNS-në për vjedhje zgjedhore dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve.

Autoritetet i kanë mohuar akuzat.

Një ditë para protestës, më 29 dhjetor, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë (KRZ) e hodhi poshtë kërkesën e koalicionit “Serbia kundër dhunës” për anulimin e zgjedhjeve.

Dyshime për parregullsinë e zgjedhjeve shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje autoriteteve në Serbi që t’i hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore./ REL

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?