Kronikë

Bllokohen sërish punonjësit sezonalë në pikën e kalimit Han i Hotit, u kërkohet vaksinë ose tampon çdo ditë, punëtorët: Ne shkojmë për bukën e gojës, këto kërkojnë test që kushton 23 €

15 Shtator 2021, 07:35| Përditesimi: 15 Shtator 2021, 14:49

  • Share

SHKODËR- Masat e reja Anti-Covid që kanë hyrë në fuqi në shtetin fqinj Mali i Zi, ka shkaktuar prej dy ditësh bllokim të punonjësve ditorë në pikën e kalimit të Hanit të Hotit. Teksa ditën e djeshme u shënuan përplasje edhe me policinë, mëngjesin e sotëm sërish rreth 100 punëtorë shqiptarë nuk mund të kalojnë kufirin nëse nuk kanë bërë vaksinat apo të kenë një test PCR të 72 orëve të fundit.

Por për punonjësit kostoja e tamponit 23 euro është e papërballueshme për to, ndërkohë që i bëjnë thirrje qeverisë për zgjidhjen e situatës. Edhe pse disa prej tyre janë me të dy dozat e përfunduara, atyre u duhet të presin edhe 14 ditë për të kaluar kufirin sipas masave te reja. Janë rreth 500-600 punonjës ditorë që mbajnë familjet me punë të ndryshme që ata bëjnë në shtetin fqinj.

'Kjo është shumë problematike për ne pasi na kanë venë edhe tamponin që kushton 25 mijë lekë ose 23 euro  dhe për ne është shumë e lartë kjo pagesë. Në për aq punojmë sepse jemi punëtor krahu, ne nuk kemi dobi. Jam i vaksinuar me dy doza. Pala malazeze na kthen pas sepse tani e kanë bërë që duhet të kalojnë dhe 14 ditë pasi është bërë doza e dytë, i bëj thirrje policisë së shtetit të marrë masa.'- tha një punëtor.

'Ne për 10-15 euro dalim të punojmë e këto duan 23 euro për tampon. E kam bërë vaksinën, dozën e parë. Dozën e dytë e kam me datën 9 tetor.'- shpreh një tjetër.

'Ku na del ekonomia, për t'i dhënë paret Edi Ramës. Nuk e kam bërë vaksinën, detyrohem të tregojmë tampon. Me këtë tamponin duan të na marrin paret kot.'- tha një tjetër punëtor.

Për të kaluar kufirin nga Shqipëria në Malin e Zi nevojitet një nga këto dokumente:

Duke nisur nga 14 shtatori të gjithë qytetarët e huaj që duan të udhëtojnë drejt Malit të Zi do të duhet të paraqesin këto dokumenta:

1- Një vërtetim që kanë kaluar 14 ditë nga rivaksinimi, për vaksinat që jepen me dy doza, ose kanë kaluar 14 ditë nga vaksinimi për vaksinat që jepen me një dozë;

2- Një test PCR negativ Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë, ose testin pozitiv PCR nga i cili kanë kaluar të paktën 14 ditë, por jo më shumë se 180 ditë;

3- Test negativ antigjen, jo më të vjetër se 48 orë;

Qytetarët e Malit të Zi dhe shtetasit e huaj me qëndrim të përkohshëm në Mal të Zi, të cilët nuk plotësojnë asnjë nga kushtet e mësipërme, duhet të karantinohen. Izolimi mund të ndërpritet pas një testi PCR negativ, pas ditës së gjashtë nga kalimi i kufirit.

Certifikata e vaksinimit të një punëtori

 

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?