Kërkesa e Aleksander Lekës për një karroce elektrike, që mundëson transportin në shkollë u bë realitet.
Pas apelit në Report TV, u përgjigj Ardjan Kaçi një shqiptar nga Vau i Dejës që jeton në Londër. Ai solli karrocën e re dhe tashmë Aleksandri u rikthye në shkollë.
Emocioni i lexohet në sy, teksa mbërrin në oborr dhe përshëndet mësuesit dhe nxënësit.
38-vjeçari, invalid i kategorisë së parë falenderon Report tv dhe donatorin që i mundësuan arsimimin.
“Ndjehem mire dhe jam i gëzuar! Falenderoj Report TV, drejtoreshen e shkollës dhe mësuesit. Po kështu dhe ata që më sollën dy karroca. Kur është kohe e mire unë mund të vij në shkollë, ndërsa në dimër kur ka shi nuk mund të vij me karrocë, ndaj kërkoj nga Bashkia dhe Drejtoria Arsimore të më mundësojnë udhëtimin me makinë”, tha Aleksander Lekaj
Aleksandri Leka ka lindur me probleme të rënda shëndetësore dhe jeton në kushte të vështira në fshatin Mërqi të Lezhës. Edhe pse në moshë madhore është nxënës i klasës së 8-të në shkollën “Nënë Tereza”. Prej shtatorit kishte mbetur pa mësim, pasi ishte prishur karroca e vjetër. Tashmë që ka një të re, udhëton çdo ditë 5 kilometra nga fshati drejt shkollës në qytetin e Lezhës. Historia e tij u publikua më 6 tetor në Report TV dhe Shqiptarja.com. Në rrjetet tona sociale mbërritën me dhjetëra mesazhe të shqiptarëve kudo në botë. Përpos emigrantit nga Londra janë të shumtë donatorët që po ofrojnë çdo ditë ndihma financiare e materiale për Aleksandrin!
Kushdo që dëshiron të ofrojë ndihmë të kontaktojë në numrin e Aleksandër Lekajt +355 67 670 1860