Në prag të nisjes së sezonit të ri dhe të parë të ‘Dyrrah City Football Academy’, për tre ditë më rradhë në Durrës janë zhvilluar seanca stërvitore për fëmijët nga 7-18 vjeç, me qëllim seleksionimin e talenteve që do stërviten nga trajnerët e Manchester City-t.
“Trajnerët e Manchester City-t të cilët do bëjnë trajnimin e shkollës së futbollit tashmë janë vendosur dhe do qëndrojnë në Durrës për të gjithë sezonin 2024-2025,”-u shpreh Gjergj Ndoci, administrator i DCFA.
Shumë fëmijë patën mundësinë ti bashkohen kësaj akademie që mbeshtet nga qeveria shqiptare falas ose me reduktim çmimi vetëm që talentet të mbështeten dhe të ndihen të barbartë me bashkëmoshatarët e tyre.
Dyrrah City Football Academy e nis sezonin më 2 shtator, ndërsa edhe trajnerët e ardhur enkas nga Anglia e më konkretisht nga Manchester City janë gati.
"Përshëndetje, unë jam Ben Graham, kryetrajneri i Shkollës së Futbollit këtu në Akademinë e Futbollit Dyrrah City. Jam i entuziazmuar për sezonin që kemi përpara, ku do të ofrojmë shumë seanca argëtuese dhe emocionuese për të gjithë fëmijët,"-tha Ben Graham, trajner i akademisë M.City.
Akademia aktualisht është në fazën e përfundimit të plotësimit të stafit të saj për pozicionet si trajnerë futbolli, ndihmës trajner, përgatitës atletik, përgatitës portierësh, mjek sportiv dhe fizioterapist, teksa aktivitetin e saj për këtë sezon të parë do e zhvillojë në ‘Olimpic Park’ të Durrësit, në pritje të përfundimit të kampusit sportiv.
Ky projekt është një bashkpunim mes qeverisë shqiptare dhe Manchester City-t, klubit të famshëm anglez që ka zgjedhur Shqipërinë për të përqëndruar një nga tetë akademitë që ka në botë.