Me nisjen e sezonit të plazhit në Qytetin e Pogradecit, janë shtuar kontrollet e shumta për të parandaluar kryesisht incidentet ujore nga motorët e ujit dhe për të rritur sigurinë e pushuesve të cilët kanë zgjedhur Pogradecin si destinacion për të pushuar.
Policia kufitare në këtë fund qershori ka rritur patrullimet me mjete ujore, gjithashtu edhe kontrollet nga toka. Sipas informacioneve, këtë vit në flotën ujore dhe tokësore janë shtuar mjete të reja dhe dronë për kontrollin e kufirit liqenor dhe monitorimin, duke rritur kështu sigurinë për pushuesit.
Ndërkaq, edhe nga Bashkia e Pogradecit janë marrë masat për të vendosur sinjalistikën e nevojshme (bovat), të cilat saktësojnë zonat e lejuara për lundrimin e mjeteve ujore, por edhe qëndrimin e pushuesve. Përpos këtyre, në plazhet publike janë vendosur vëzhgues të vijës liqenore, ndërsa për plazhet private duhet që subjektet të garantojnë vendosjen e vëzhguesve, sipas kritereve të lejes për stacion plazhi.
Enjela Karafili thotë se këtë vit janë marrë masat më herët së bashku me Taskforcën e ngritur për sezonin veror. Ndërsa bashkëpunimi me Policinë Kufitare, sipas saj, është tepër i nevojshëm për sigurinë e pushuesve.
Për shkak të gjendjes së gatishmërisë e cila do të vijojë deri në mbyllje të sezonit, tre ditë më parë policia kufitare ka arritur të shpëtojë mrekullisht dy peshkatarë të cilët i zuri stuhia e menjëhershme. Monitorimi vijon të kryhet për çdo rast në të gjithë pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit.
Komente
