Nga 1 korriku deri sot, nëpërmjet pikës së kalimit të kontrollit kufitar në aeroportin e Rinasit kanë hyrë mbi 100.000 shtetas shqiptarë e të huaj më shumë se në vitin 2019 për të njëjtën periudhë, viti para nisjes së pandemisë. Kjo rritje nuk është parë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka një fluks të shtuar. Kryesisht hyrja është për arsye turizmi, ndërsa pjesa tjetër e personave që duan të hyjnë në Shqipëri janë për arsye pune ose për arsye të tjera të ndryshme.
Përgjatë sezonit turistik, nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas janë kapur 13 persona të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si dhe janë proceduar gjithsej 40 shtetas, 11 prej tyre për falsifikim dokumentesh.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit Eduart Merkaj ka parë nga afër zbatimin e masave lehtësuese të marra nga Policia Kufitare e Rinasit, për të përballuar fluksin e madh në hyrje të turistëve dhe shtetasve shqiptarë që janë rezident në vende të ndryshme të BE-së, të cilët vijnë për pushime dhe turizëm në vendin tonë.
Merkaj tha se janë marrë të gjitha masat jo vetëm për sigurimin e rendit përmes kontrollit të personave që kalojnë apo lehtësimit të procedurave për secilin shtetas që hyn apo del në Shqipëri, por edhe parandalimi i krimeve ndërkufitare.
"Polica Kufitare merr dhe masat administrative për cilindo nga ata shtetas që kanë mjete lundruese ose mjete argëtuese siç janë motorët e ujit, që ata të zbatojnë çdo lloj procedure standarde që është e përcaktuar. Me homologët, kryesisht me shtetet që ne kufizohemi, me shtetet që kemi kufi, pra me këto shtete që në fillim të sezonit ne kemi filluar të shtojmë patrullimet e përbashkëta në kufirin e gjelbër. Në kufirin blu tashmë në funksion të operacionit FRONTEX janë të atashuar edhe dy mjete fluturuese, të cilat patrullojnë dhe ato me orar të përcaktuar me Policinë e Shtetit dhe për këtë themi se është një situatë më e monitorueshme duke qënë se edhe kolegët e FRONTEX-it, edhe kolegët e vendeve me të cilët kufizohemi jemi të gjithë bashkë dhe punojmë për të njëjtin qëllim", tha Merkaj.