Që prej ditës së sotme (1 korrik) ka nisur zyrtarisht patrullimi i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit në Shqipëri, në kuadër të masave për sezonin turistik veror.
Nisma synon të garantojë sigurinë e shtetasve kosovarë dhe të gjithë turistëve që kanë zgjedhur bregdetin dhe qytetet shqiptare për të pushuar gjatë muajve të verës.
Artur Selimaj, Shef i Sigurisë Rrugore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u shpreh se bashkëpunimi me kolegët nga Kosova përbën një ndihmë të madhe për policinë shqiptare, si në aspektin logjistik ashtu edhe në burimet njerëzore.
Sipas tij, kjo lehtëson menaxhimin e trafikut në akset kryesore që lidhin Kosovën me Shqipërinë dhe me bregdetin.
"Ky bashkëpunim na ndihmon konkretisht në terren, duke garantuar një lëvizje më të sigurt për të gjithë qytetarët, veçanërisht në kulmin e fluksit të udhëtimeve verore," u shpreh Selimaj.
Nga ana tjetër, Ismail Fejzullahu, Komandant i Autostradës në Policinë e Kosovës, theksoi se patrullimet e përbashkëta janë tashmë një traditë që forcon ndjenjën e sigurisë për qytetarët e Kosovës që kalojnë pushimet në Shqipëri.
“Si çdo vit, edhe këtë sezon, ne jemi këtu për të qenë pranë qytetarëve tanë. Vërejmë se siguria rrugore në Shqipëri është rritur dhe bashkëpunimi ynë është në funksion të kësaj përmirësimi,” tha Fejzullahu.
Të dy drejtuesit vunë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional jo vetëm në aspektin e sigurisë rrugore, por edhe në përballimin e përbashkët të paligjshmërisë dhe formave të ndryshme të kriminalitetit, veçanërisht në zonat me frekuentim të lartë turistik.
Komente

Urojme mbi 5 milion turist ne korrik per Shqipërine dhe 2.5 mil per Kosoven ne Peje Rugove Prizren dhe Prishtine e te tjer e
Përgjigju