Prej vitesh Golemi vuan për mungesën e ujit të pijshëm ndërkohë që sezoni veror dhe turistik ka vazhduar duket se ka nxjerrë më në pah këtë problematikë. Të shqetësuar mbi këtë problem, me bidona 5 ose 10 litërshe, që në orët e para të mëngjesit qytetarët detyrohen të zënë radhën pranë depozitave të botave që vijnë dhe shesin ujë në këtë zonë.
Vetë kompanitë private deklarojnë se sasia e ujit me të cilën furnizojnë qytetarët arrin deri në 6000 litra ujë në ditë.
“Nuk e sheh botin. Ujë ka, po nuk është i pijshëm. Tani në verë qarkullojmë rreth 6000 litra ujë në ditë”, tha përfaqësuesi i kompanisë private.
Edhe pse ndër vite banorët janë ankuar për të gjetur një zgjidhje, uji për përdorime të tjera vjen në çezmat e tyre vetëm disa orë në ditë.
Vija bregdetare e Golemit furnizohet me ujë të pijshëm nga rezervuari i Manskurisë, ndërsa prej vitesh mungojnë investimet në rrjetin e ujësjellësit në këtë zonë turistike.