Sociale

Sezoni turistik, vrojtuesi i plazhit në Spille: Ditët e mbingarkuara me pushues më të rrezikshmet! Ja pse në Adriatik ka më shumë mbytje se në Jon

1 Korrik, 14:12| Përditesimi: 1 Korrik, 14:27

  • Share

Teksa jemi në kulmin e sezonit turistik, në këto ditë të nxehta vere nuk kanë munguar as pushuesit që janë mbytur në det. I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ ishte Festim Sula, vrojtues në plazhin e Spillesë, Kavajë. Sula shprehet se kryesisht ditët e mbingarkuara me pushues janë më të rrezikshmet, veçanërisht gjatë fundjavës.

“Unë jam pjesë e federatës që nga 2018 dhe çdo vit kam punuar në Spille. Sot aktualisht kemi një numër shumë të pakët pushuesish, por e shtuna dhe e diela ka qenë me një mbi popullim njerëzish. Çdo ditë është e rrezikshme por gjatë këtyre ditëve është e vështirë edhe për ne për shkak sepse kemi dhe probleme me njerëzit që rrinë aty na pengojnë dhe pamjen nga bregdeti. Në zonën e Spillesë faktikisht të gjithë vrojtuesit janë në detyrë për shkak të rrezikshmërisë së rrymave dhe i paralajmërojnë të gjithë pushuesit", tha Festim Sula.

Teksa u pyet nga gazetari Nertil Agalliu pse rreziku për tu mbytur në Adriatik është më i madh se në bregdetin e Jonit, Sula tha se kjo ndodh për shkak të gropave apo vorbullave që formohen nën ujë.

“Rreziku më i madh për të mbytur në Adriatik është sepse duke qenë rënor dhe në momentin që ka valë dhe bëhet ai transportimi i rërës dhe krijohen dhe ato gropat ose vorbollat që ne i quajmë në gjuhën e vrojtuesve dhe aty është rreziku më i madh. Nëse bie në një vorbull ose një gropë është shumë e vështirë për të dalë në qoftë se ti nuk ruan qetësinë dhe të kesh aftësi të mira notuese”, shtoi Sula, teksa nënvizoi se problemi më i madh është që shumica e pushuesve nuk arrijnë ta dallojnë ku është apo nuk është një gropë.

“Atje ku është një hapësirë boshe është gjithmonë gropë nën ujore”, tha ndër të tjera ai.

Por cila është mosha që rrezikon më shumë të mbytet?

“Mosha e tretë është e rrezikuar më shumë nga infakti kurse rreziku më i madh për mbytje ekziston edhe te fëmijët. Deri në këto momente që po flasim nuk kemi pasur raste të mbytjes, por vetëm na kanë raportuar për ndonjë humbje të fëmijëve. Kemi një bashkëpunim të mirë me policinë bashkiake dhe policinë kufitare që sidomos për pjesën Jet Skive. Ndërsa policia e rendit na gjendet në situatat ku kemi probleme me pushuesit që nuk binden të dalin deti”, tha Sula.

Në fund të intervistës Sula nënvizoi se i trajnojnë vrojtuesit e tyre në mënyrë që të kuptojnë kur një pushues është në rrezik.

"Ne zhvillojmë kurse që të mësojmë të gjithë vrojtuesit dhe të kuptojnë kur një person është në rrezik, sepse dallohet me sy të lirë kush noton dhe kush jo. I paralajmërojmë të gjithë pushuesit të mos futen në det kur ka dallgë apo erëra të forta", përfundoi Sula.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?