Nisja e sezonit turistik veror dhe rritja e ndjeshme e temperaturave ka zhvendosur në numër të lartë edhe pushuesit në bregdetin e Lezhës e jo vetëm.
Dita e sotme ka sjellë jo vetëm fluks mjetesh e pushuesish në qytetin bregdetar, por edhe trafik në aksin Milot-Lezhë.
Moti i qëndrueshëm dhe me diell ka nxitur mijëra qytetarë t’i drejtohen bregdetit për fundjavë, duke shkaktuar fluks të lartë pushuesish në zonën bregdetare, një pjesë e mirë e tyre edhe kosovarë.
Si pasojë, është shënuar trafik i rënduar përgjatë aksit rrugor Milot-Lezhë, ku janë krijuar radhë të gjata kilometrike automjetesh.
Në pjesën më të madhe të trafikut dominojnë mjetet me targa të Kosovës, teksa shumë qytetarë nga shteti fqinj janë dyndur drejt bregdetit shqiptar, për të shfrytëzuar edhe ditët e nxehta dhe me diell dhe kaluar vapën.
Lëvizja e shtuar ka sjellë edhe ngarkesë të dukshme në infrastrukturën rrugore, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe respektim të rregullave të qarkullimit.
Ky është vetëm fillimi i një sezoni, që parashikohet të jetë intensiv për zonat turistike, ndërsa Lezha, me plazhet e saj të njohura si Shëngjini e Taleja, mbetet një nga destinacionet më të preferuara nga pushuesit vendas dhe të huaj.
Komente
