Arbjan Mazniku dhe Mirela Kumbaro

Sociale

Sezoni veror/ Kumbaro dhe Mazniku japin porositë për institucionet dhe bashkitë, fokus pastërtia dhe menaxhimi i bregdetit

2 Qershor, 16:50| Përditesimi: 2 Qershor, 16:57

  • Share

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku dhanë mesazhe të rëndësishme për sezonin veror, në kuadër të mbledhjes së Task Forcës së Turizmit dhe Këshillit Konsultativ Qeveri-Vendore Vetëqeverisje Vendore. 

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro tregoi planin e masave për bregdetin, duke sqaruar se dyfishimi i hapësirave publike sjell edhe më shumë përgjegjësi për bashkitë në procesin e pastrimit. Për këtë arsye, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit edhe këtë vit do të mbështesë bashkitë bregdetare me forca të shtuara në kapacitetet e pastrimit. 

“Vetëm sipërmarrjet që kishin një hotel mund të aplikonin për të menaxhuar një plazh. Ka qenë një proces shumë i gjatë, shumë i vështirë, një proces që do ta verifikojmë në terren në momentin që do të intensifikohet aktiviteti i plazheve. Është shtuar sipërfaqja e plazheve publike, kemi dyfishim të sipërfaqeve publike. Këto sipërfaqe shkojnë drejtpërdrejtë në ngarkim të Bashkive për t’u menaxhuar nga pikëpamja e pastërtisë dhe sigurisë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për t’u ardhur në ndihmë, do të vazhdojë operacionin Plazhe të Pastra në bashkitë Shkodër, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Fier, Divjakë, Vlorë, Himarë dhe Sarandë. Nuk përfshihen te kjo skemë bashkitë Lezhë dhe Pogradec të cilat arrijnë ta menaxhojnë vetë pastrimin e sipërfaqeve të plazheve. Komunikimi mes nesh është shumë i rëndësishëm. Policitë Bashkiake me ato kapacitete që kanë, duhet të thërrasin në ndihmë Policinë e Shtetit. Nëse nuk jemi të gjithë në territor për sensibilizim, për koordinim, do ta kemi shumë të vështirë', tha ajo. 

Kumbaro u bëri thirrje bashkive që të mos neglizhojnë asnjë ankesë të qytetarëve, teksa paralajmëroi kontrolle në terren gjatë gjithë pikut të sezonit veror.

“Në ka një fjali që duhet ta heqim nga fjalori këtë sezon, është shprehja “Këtë nuk e kam unë!”. Territori është i ndarë në administratorë të ndryshëm. Shpesh një ndër problematikat është kush pastron rrugët, kemi një eksperiencë të mirë me ARRSH që ka krijuar një departament të dedikuar. Por mos të presim të vijë ankesa te Ministrja, por bashkitë ta heqin nga goja fjalën “Këtë s’e ka bashkia” duke e lënë problemin e pazgjidhur. Prandaj komunikimi mes nesh është shumë, shumë i rëndësishëm', tha ajo. 

Ndërkohë, Ministri Mazniku e vuri theksin në vlerën ekonomike që turizmi sjell për bashkitë, duke vënë theksin tek aspekti ekonomik. 

“Shumica e të ardhurave nga turizmi vitin e kaluar shkoi në bare dhe restorante ku janë punësuar shumë njerëz, një pjesë tjetër në hoteleri, në produkte agroushqimore dhe një pjesë në transport. Pra, teksa ndonjëherë vëmë theksin që turizmi për bashkitë mund të duket si formë “halli”, nga ana tjetër impakti që ka në ekonominë e vendit dhe në ekonominë e qytetarëve tuaj është i padiskutueshëm. E dimë që është një ngarkesë ekstra, por duhet t’i përgjigjemi këtij fluksi”, tha Mazniku. 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?