Sociale

Sezoni veror, Rrugorja e Lezhës: Gjatë 24 orëve qarkullojnë mbi 100 mijë mjete, në fundjavë fluksi është më i madh

1 Gusht, 13:06| Përditesimi: 1 Gusht, 13:21

  • Share

Në pikun e sezonit turistik, rrugët e Lezhës përballen çdo ditë me një fluks të jashtëzakonshëm automjetesh. Mbi 100 mijë mjete kalojnë brenda 24 orëve, ndërsa gjatë fundjavave numri shtohet edhe më shumë për shkak të lëvizjeve drejt zonave bregdetare.

Përballë këtij volumi në rritje, Policia Rrugore ka shtuar ndjeshëm prezencën në terren. Patrullat janë të shpërndara në pikat më të ngarkuara, nga akset kombëtare deri tek degëzimet dytësore, duke koordinuar trafikun dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve.

Sipas të dhënave të Policisë, kulmi i trafikut regjistrohet pasditave të së dielës, kur rreth 60 mijë automjete nisen për të dalë nga zonat turistike. Megjithatë, falë ndërhyrjes së patrullave, rrjedha e lëvizjes është mbajtur e qëndrueshme, edhe pse me ngadalësime në pika të caktuara.

 “Qarku i Lezhës është një tranzit për të gjithë Veriun. Në akset rrugore të Lezhës kalojnë një numër tepër i madh, veçanërisht në sezonin e verës. 6 mujorin e parë kanë kaluar më shumë se 80 mijë mjete në 2 pikat e kalimit kufitar. Ndërsa në sezonin veror në qarkun e Lezhës kalojnë mbi një 100 mijë mjete, që do të thotë fluks shumë i shtuar. Shërbimet e Policisë janë të vendosura në të gjitha kryqëzimet”, tha Valmir Nikolli, Shef i Qarkullimit Rrugor Lezhë.

Përveç menaxhimit të trafikut, prioritet mbetet edhe zbatimi i rregullave të qarkullimit. Nikolli thote se rastet e drejtimit në gjendje të dehur, përdorimin e celularit, si dhe parakalimet e rrezikshme,që mbeten ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve kanë vëmendjen e policisë.

“Me qëllim për parandalimin e incidenteve rrugore, i kemi mbikëqyrur në vazhdimësi drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat. Ne nuk e kemi lënë pas dore edhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë së qarkullimit rrugor”, përfundoi Nikolli.

Policia apelon për kujdes të shtuar në timon dhe respektim të sinjalistikës, sidomos në këtë periudhë kur rrugët janë më të ngarkuara se zakonisht, ndersa objektivi është, më shumë siguri për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?