Egnatia sipas të gjitha gjasave do jetë realiteti i ri i Superligës në sezonin e ardhshëm. Falë fitores 2-1 kundër Tomorrit janë shkëputur me 7 pikë në krye të Kategorisë së Parë te grupi B. Kapiteni i rrogozhinasve Ndriçim Shtubina, shprehet me siguri të plotë se sezonin e ardhshëm do jenë në elitën e futbollit shqiptar.
‘Besoj se deri në fund do ia arrijmë qëllimit sepse kanë mbetur edhe pak ndeshje. Nuk ka shanse që dikush të marrë vendin e parë sepse ne kemi udhëhequr që nga fillimi. Shihemi në Superligë,’-u shpreh ai.
Shkodrani Shtubina, një lojtar me shumë eksperiencë edhe në Superligë, shton se ndihet shumë i lumtur në Rrogozhinë. Kjo edhe për faktin se klubi ka një projekt ambicioz.
‘Ndihem i lumtur dhe i kënaqur te kjo skuadër, sepse është edhe një projekt shumë serioz. Këtu po punohet edhe për stadiumin e ri dhe gjithçka shkon shumë mirë. Ky është edhe një motivim shumë i madh për lojtarët,’-deklaroi ai.
34-vjeçari ndalet edhe te sezoni aktual i Superligës, duke u shprehur fillimisht se arbitrimi ka qenë korrekt, diçka e cila është në kundërshtim me opinionin.
‘Unë besoj se arbitrimet kanë qenë shumë korrekt këtë sezon. Këtë e kam vërenjtur në shumë ndeshje që kam ndjekur Superligën. Nuk besoj se do jenë vendimtar, por do jetë gjendja e skuadrave që do vendosi titullin. Ajo akuadër që ka qetësinë, që do japë maksimumin dhe që do mbajë presionin do shpallet kampione. Në fund shpresoj që kjo skuadër të jetë Vllaznia,’-u shpreh ai.
Sipas Shtubinës ky sezon po tregon se cilësia e futbollit shqiptar është rritur.
‘Cilësia e futbollit tonë është rritur. Çdo skuadër jep maksimumin sepse ka pretendimet e veta. Kemi shumë skuadra që pretendojnë Europën, kampionatin. Kjo favorizon futbollin tonë, sepse luhet drejt dhe pastër. Po shoh shumë ndeshje me nivel, shumë të bukura. Detaje që ndihmojnë futbollin shqiptar dhe shpresoj që të vazhdojmë deri në fund kështu,’-tha ai.