Në Elbasan kandidati i Partisë Socialiste, Gledjan Llatja thotë se nuk e diskuton fitoren e një mandat të dytë si drejtues i Bashkisë. Në një intervistë dhënë për ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, Llatja thotë se ka projekte shumë të mëdha për qytetin.
“Ne kemi 4 vite që kemi filluar fushatën. Po ecim mirë. Nuk është fushatë pompoze me ekrane të mëdhenj. Kemi projekte shumë të mëdha për zhvillimin e qytetit. Ne kemi bërë shumë në mandatin e parë. Kemi nisur projekte të mira për zhvillimin ekonomik të qytetit. Nga qytet tipik industrial kemi filluar forcimin e siteve tona turistike. Shëtitorja buzë lumit Shkumbin është një projekt ambicioz. Janë projekte të mëdha. Sigurisht që edhe zgjidhja e problematikave. Ka lidhje me infrastrukturën. Kemi program shumë të detajuar. Gjithashtu edhe infrastruktura shkollore, që është një nga kryesoret ka një fokusim të veçantë në platformën tonë. Ky 4-vjeçar do të jetë për punë të fortë”, tha Llatja.
Diferencën më rivalin e tij të ‘Bashkë Fitojmë’ e shikon të thjeshtë. Socialisti Gledjan Llatja thotë se përfaqëson një forcë politike në qytet, frymën e saj, ndërkohë që Luçiano Boçi sipas tij është përfaqësues i dy njerëzve si Ilir Meta dhe Sali Berishën.
“Ne përfaqësojmë një forcë politike, qytetarët tanë, simpatizantët tanë. Unë këtu përfaqësues Partinë Socialiste e cila ka treguar se në këto vite ka sjellë ndryshimin. Z. Boçi e ka këtë problematike se nuk e ka Partinë Demokratike që e mbështet, por përfaqëson Ilir Metën dhe Sali Berishën në Elbasan”, u shpreh kreu i Bashkisë Elbasan.
I pyetur për objektivin për Këshillin Bashkiak Elbasan, Llatja thotë se PS synon të marrë shumicën e anëtarë.
“Ne do të marrim shumicën, mbi 26 anëtarë. Ne jemi një ekip shumë i mirë qeverisës në Elbasan. Sa i përket qarkut ne do t’i fitojmë të gjitha bashkitë e Elbasanit”, tha ndër të tjera në intervistën për Report Tv, kandidati socialist Gledjan Llatja.