Politikë

Sfidat e drejtësisë së re përballë integrimit (stoku i dosjeve dhe vakancat)

13 Qershor, 15:41| Përditesimi: 13 Qershor, 15:55

  • Share

Drejtësia është një nga fushat kyçe të bisedimeve për anëtarësim në BE, dhe ajo ende përballet me sfida të shumëfishta. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, vuri në dukje se janë shënuar përparime të rëndësishme në disa fusha kyçe të Strategjisë për sistemin e Drejtësisë, miratuar vitin e shkuar, si përfundimi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga KPK me 805 vendime. Është miratuar Strategjia Kombëtare për uljen e çështjeve të prapambetura 2024–2027, - shtoi ministri - një hap i rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit gjyqësor.

“SPAK dhe KLP kanë plotësuar vakancat për prokurorë, ndërsa ILD ka vijuar me rekrutimin e inspektorëve jomagjistratë dhe ndihmësinspektorëve”, theksoi Manja.

Duke pranuar vonesat për vlerësimin e magjistratëve, Manja theksoi nevojën e koordinimit të të gjitha institucioneve për përmbushjen e objektivave.

“Zbatimi i mekanizmave të sinjalizimit dhe vlerësimet etike ndaj magjistratëve kanë hasur në vonesa. Po ashtu, përmbushja e objektivave të ndërmjetëm të përcaktuara në kuadër të procesit të integrimit evropian kërkon përpjekje të shtuara dhe koordinim të ngushtë ndërinstitucional në adresimin e masave të parashikuara në Strategji”, tha ministri i Drejtësisë.

Përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Cinzia Tarletti, nënvizoi se reforma në Drejtësi ka akoma shumë sfida përpara.

“Sigurisht ka mjaft çështje dhe që ka problematika, ka synime, ka aspekte në lidhje me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, këshilltarëve dhe asistentëve ligjor. Më lejoni t’iu them se koordinimi dhe bashkëpunimi në gjyqësor është mjaft i rëndësishëm në të gjitha institucionet. Takimet janë funksionale dhe na lejojnë që të zhvillojmë diskutime mjaft frytdhënëse”, tha Cinzia Tarletti, Përfaqësuese e BE.

Ndërkohë, ambasadori i OSBE-së Michel Tarran përmendi disa prej objektivave kryesorë që duhen arritur.

“Kjo fazë e reformës në drejtësi përqendrohet në përmirësimin e efikasitetit, pavarësisë dhe qasshmërisë me sistemin e drejtësisë. Qëllimi këtu është të konsolidohet kuadri ligjor duke eliminuar punët e prapambetura gjyqësore, për të forcuar llogaridhënien dhe forcuar mekanizmat e transparencës, për ta afruar më shumë me qytetarët. Masat në lidhje me përdorimin e teknologjive të reja të informacionit, përmirësimi i statistikave kombëtare për drejtësinë dhe zhvillimi i sistemeve të menaxhimit të çështjeve janë gjithashtu hapa të rëndësishëm”, tha Michel Tarran, ambasador i OSBE.

Zbatimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024 - 2030 përballet me një sërë sfidash, mes të cilave, nevoja për forcimin e kapaciteteve teknike dhe analitike për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave; dhe sigurimi i një koordinimi efektiv ndërmjet të gjitha hallkave të sistemit.

G.M./A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?