Speciale

Speciale/ Sfidat e grave që zgjodhën zanate burrash

Nga Benet Beqiri, Elvis Hila, Armand Xhelili

Radioteknike, bareshë, orëndreqëse por edhe tornitore, axhustatorë, elektriciste e shumë të tjera ishin zanatet burrërore që erdhën si rrjedhojë e periudhës së sistemit komunist ku në më të mirën e mundshme, gratë jo vetëm ia dilnin t’i përvetësonin shpejt, por i shndërronin edhe në një pasion që zgjaste gjatë gjithë jetës.

Në ditën e parë të punës, Aishe Llukovit iu vu në dukje se do të ishte më mirë të bënte ndonjë punë grash dhe jo radioteknike në ndërmarrjen e riparim-shërbimeve në Kukës. Kjo ishte përballja e saj e parë me realitetin që paragjykonte gratë që zgjidhnin punë burrash.

E lindur nga prindër jo zanatçinj, Aishja 15 vjeçare asokohe tërhiqej nga ndërthurja e telave që bënte një radio të transmetonte programet e kohës.

Shqiptarët që kanë jetuar gjatë viteve 1970 dhe 1980, janë rritur duke dëgjuar radion. Më ikonikia ishte radio Iliria, prodhim i ndërmarrjes së radio televizorëve të Durrësit. Ajo punonte edhe me bateri duke i dhënë mundësi brezit të atëhershëm ta merrte kudo me vete. Aishe tregon se për t’i riparuar ato modele dhe të tjerat në treg, nuk vinin vetëm banorë të Kukësit por edhe qyteteve të largëta.

Në vitet 1990, teknologjia përparoi. Radioja kaloi në plan fundor pasi të gjithë vëmendjen e mori televizori. Ishte koha kur tingulli i radio së transistorit mbeti kujtim nostalgjik. Nga ajo kohë Aishe ruan ende disa nga mjetet e punës që i shërbyen për 45 vite me radhë. Sot Aishe Llukovi i gëzohet pensionit e familjes me nipër e mbesa.

Nuk është kaq e mbarë pleqëria për 76-vjeçaren Mrika Frroku.

Ajo bën çdo ditë 4 km rrugë në këmbë për të kullotur bagëtitë. Mrika me origjinë nga Mirdita dhe banim në Lezhë thotë se është e detyruar të punojë pasi pensioni prej 10 mijë lekësh në muaj nuk mjafton as për ushqim.

E takojmë nënë Mrikën rrugës së kalasë, teksa shtegton me tufën e dhive drejt malit, për të gjetur kullota. Vitet që mban mbi supe nuk ia kanë zbehur pasionin as fuqinë, sepse siç ajo thotë forcën e gjen tek natyra e ajri i pastër.

“Kam 35 vjet me bagëti. Forcën e gjej tek natyra e bagëtia. Dal në mëngjes e kthehem nga ora 5 pasdite. S’kam me çfarë jetoj, pensionin e kam 10 mijë lek. Asnjë ndihmë s’kam nga askush.  Jam e vetmuar. Ne regjimin komunist kam punuar në administratë, sekretare partie. Tani kullos bagëtitë. Këto [bagëtitë] i kam si motra, si shoqe”, tregon 76-vjeçarja.

Mrika Frroku është ndër të paktat që mban bagëti të imta në Lezhë, pasi blegtorët po heqin dorë nga mbareshtimi i tyre për shkak të çmimit të ulët të qumështit, mungesës së subvecioneve dhe kullotave.

Katerina Shakaj nuk i ngjitet maleve si Mrika, por prej 44 vitesh qëndron ulur duke ndrequr matësit e kohës. Në këtë dyqan të vogël në Vlorë, ajo është një ndër të paktat gra që ende ushtrojnë punën e orëndreqësit.

Zanatin e ka mësuar prej mjeshtërve burra që në moshën 16 vjeçare.

“Është i vështirë si profesion, do përqendrim, do qetësi, do durim. I bukur është nga pamja e jashtme se ndjen ti kënaqësi se bën diçka. Por ka dhe profesioni vështirësitë e saj. Duhet të jesh i përqendruar me trurin, koka, qafa ulur”, shprehet Katerina.

Sot Katerina ka zënë vendin e orëndreqësve të dikurshëm të Vlorës. Falë saj e ka mësuar këtë zanat edhe bashkëshorti, Ladi.

"Katerina është mw e zonja se kjo ma ka mësuar zanatin. Është pak ai mentaliteti vlonjat, pse të mësojë gruaja, por fakti është që ajo më ka mësuar”, shprehet Ladi Shakaj.

Kënaqësia më e madhe për ta mbetet falënderimi i klientëve, të cilët vlerësojnë jo vetëm punën e tyre, por edhe faktin që në Vlorë ende ekziston një vend ku mund të riparojnë orën.

“Duam t’i kënaqim klientët, ndjen kënaqësi kur vjen klienti dhe të falënderon. Por, kjo do përqendrim, përkushtim, duhet të kesh edhe durim", tregon çifti vlonjat.

Sot nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë larg dyqanit ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës mes mekanizmave të vegjël.

"Mund të rri edhe në shtëpi kur sëmurem dy ditë, të tretën e ditës nuk mund të rri dot, dua të vi. Dua të vi jo vetëm paradite, por edhe pasdite sepse mendoj ça do bëj në shtëpi. Me mirë vi këtu kaloj disa orë, edhe lekë nxjerr. Ka të mirat e saj, por edhe të këqijat. Kur punon me burrin është kënaqësi, merremi vesh. Ai bën punën e tij, unë bëj punën time. Ka raste që edhe debaton, se s’ka punë po nuk debatove", vijon Katerina. 

Pothuajse i pamundur duket misioni për ta trashëguar këtë zanat. Të rinjtë, madje edhe fëmijët e çiftit orëndreqës kanë pëlqime të tjera në profesionet e së ardhmes.

Pavarësisht vështirësive që kanë të tilla punë të ushtruara kryesisht prej burrave, në Shqipëri jo pak gra kanë punuar krah tyre.

Jo vetëm radioteknike, bareshë apo orëndreqëse por edhe tornitore, axhustatorë, elektriciste e shumë të tjera të cilat erdhën si rrjedhojë e periudhës së sistemit komunist ku në më të mirën e mundshme, të tilla zanate burrërore, gratë jo vetëm ia dilnin ti përvetësonin shpejt, por i shndërronin edhe në një pasion që zgjaste gjatë gjithë jetës.

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?