Mosha mediane (që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta, një me moshat nën moshën medianë dhe tjetra mbi moshën medianë) arriti në 37.6 vjeç në vitin 2021, duke u rritur me 4 muaj gjatë një viti, raportoi INSTAT.
Mosha mediane e Shqipërisë është vënë në një trend rritës duke pasqyruar zhvillimet demografike që po favorizojnë plakjen e popullsisë vendit me ritme të shpejta.
Mosha mediane popullsisë nisë rritjen pas vitit 1979. Në këtë vit sipas të dhënave të INSTAT mediana e popullsisë ishte 20 vjeç. Nga viti 1979 deri në vitin 2021 mosha mediane është rritur me 17.6 vite. Projeksionet e INSTAT për vitet në vijim tregojnë për plakje të mëtejshme të popullsisë. Deri në vitin 2060 mosha mediane pritet ti ketë kaluar të 50 vitet.
Studime të mëparshme të INSTAT e shpjegojnë rritjen e moshës mediane me tre faktorë kryesorë. E para rënia e numrit të lindjeve që po ul me shpejtësi popullatën e re në moshë. Së dyti emigracioni që në Shqipëri është tipar i moshave të reja po sjell tkurrjen e popullsisë poshtë 30 vjeç. Arsyeja e tretë lidhet me rritjen e jetëgjatësisë, e cila në mënyrë të natyrshme çon në rritje të popullsisë më të vjetër në moshë.
Në vitin 1979, përqindja e popullsisë 80 vjeç e lart përbente 17.8 për qind të popullsisë të te moshuarve 65 vjeç e lart dhe vetëm 0.9 për qind të të gjithë popullsisë.
Të vjetrit më të moshuar, persona 80 vjeç e lart ishin rreth 58 mijë në vitin 2011, duke përbërë 2 për qind të të gjithë popullsisë. Ky grup i moshës më të vjetër është segmenti me rritjen më të shpejtë të popullsisë të të moshuarve. Deri në vitin 2031, numri i këtij grupi do të jetë rreth 2.2 herë i vitit 2011 dhe do të përbëjë rreth 4.6 për qind të të gjithë popullsisë.
Projeksionet e popullsisë sugjerojnë që përqindja e popullsisë së vjetër më të moshuar në të gjithë popullsinë e vjetër (65+) pritet që të rritet duke arritur 31 për qind ose 9 për qind të të gjithë popullsisë në vitin 2060.
Numri në rritje i të vjetërve më të moshuar është rezultat i drejtpërdrejtë i jetëgjatësisë në rritje, e cila është vënë re gjatë dekadave të mëparshme dhe që mendohet se do të vazhdojë në dekadat e ardhshme. Të dhënat e Eurostat tregojnë që meshkujt në BE kalojnë përafërsisht 79 për qind të gjithë jetës së tyre në shëndet të mirë pra në mungesë të kufizimeve fizike, sëmundjeve kronike ose shëndetit mendor. Për gratë, kjo përqindje është më e ulët, 74 për qind.
Në dekadat e ardhshme, popullsia e të moshuarve nuk do të tregojë vetëm një prani të rëndësishme demografike, por gjithashtu do të bëhet një forcë e rëndësishme ekonomike dhe politike. Njëkohësisht, procesi i moshimit do të vendosë një barrë të rëndë mbi sistemet ekzistuese të pensionit dhe kujdesit shëndetësor. Zhvendosja drejt një popullsie më të moshuar sjell një sërë ndryshimesh në shoqëri, si të ardhura më të ulëta, modele të ndryshme konsumi dhe kërkesa strehimi, dhe kërkesa të tjera politike dhe modele të tjera sëmundshmërie./Monitor