Sfidat e volejbollit, Pëllumbi: Moshat dhe ngritja e akademive

1 Maj 2018, 18:07| Përditesimi: 1 Maj 2018, 18:22

  • Share

Vitet e fundit volejbolli shqiptar, qoftë në rang kombëtar, por edhe ndërkombëtar, ka rritur nivelin e tij. Risia e këtij viti ishte rikthimi me titullin kampion i dy ekipeve me traditë që i ka dhënë tonin volejbollit shqiptar ndër vite.

Erzeni për meshkuj fitoi kampionatin pas 19 vitesh, ndërsa Partizani për femra rikthehet në majë pas plot 64 vitesh. Por edhe në arenën ndërkombëtare mund të quhet arritje organizimi i Europianit U-19 për femra, ku Shqipëria do të ketë mundësinë të marrë eksperiencën e duhur. Presidenti i Federatës së Volejbollit, Erlind Pëllumbi, për Report Tv, tregon hapat e mirë që janë bërë, por ndërkohë pohon se ka shumë sfida përpara.

“Një sfidë tjetër është shtimi i ekipeve edhe në kampionatin e meshkujve, ta kthejmë edhe njëherë siç ka qenë dikur, gjë e cila do të na japë mundësinë e krijimit të kampionatit ashtu si te vajzat të dy grupeve. Baza e çdo gjëje, që është edhe si një sfidë e dytë e imja në këtë qeverisje të federatës së volejbollit, është hapja e akademive sportive, duke mbjellur filizat e rinj”

Erlind Pëllumbi, Presidenti i Federatës së Volejbollit

Pëllumbi, në fjalën e tij nuk lë pa përmendur edhe ekipin e Erzenit dhe çfarë i nevojitet Shijakut.

“Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë jo vetëm me kryetarin e Bashkisë së Shijakut, por edhe atë të Rrëshenit, të Lushnjës, të Divjakës, por edhe të Himarës. I përmenda të gjitha këto sepse janë bashki të vogla dhe evenimente të tilla duhet të gjejnë impaktin e vetë bashkisë, sepse ai komunitet i vogël ngjarje të këtyre natyrave i kanë të rralla”

Erlind Pëllumbi, Presidenti i Federatës së Volejbollit

Ndërsa për ekipin kombëtar të femrave ka folur trajneri Altin Martiri që tregon synimet e Shqipërisë.

“Le të mbetemi me këmbë në tokë edhe te pjesa e volejbollit. Ne nuk duam të bëjmë surpriza, ne duam të bëjmë më të mirën e mundshme që mund të arrijë ekipi kombëtar i volejbollit të femrave”

trajneri Altin Martiri

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?