Sfidat ekonomike s’kanë kaluar, Sejko: Integrimi në BE do të na vë përpara sprova të mëdha, të bëhemi gati! Dhuka: Të ruajmë stabilitetin ekonomik

13 Nëntor, 11:50| Përditesimi: 13 Nëntor, 14:20

  • Share

Nuk është koha për krijuar iluzione mbi zhvillimin ekonomik dhe për të festuar suksesin e krizave të kapërcyera. Rruga drejt familjes Evropiane do të sjellë një sërë sprovash për ekonominë e vendit. Kështu shprehet guvernatori Gent Sejko në konferencën “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”.

“Ky reflektim mbi trendet pozitive të zhvillimit të deritanishëm nuk duhet të na ushqejë asnjë iluzion mbi madhësinë e sfidave që kemi përpara. Shmangia e kurthit të rritjes së vendeve me të ardhura të mesme, si dhe sfidat strukturore demografike, të ndryshimit klimatik dhe të inovacionit financiar, kërkojnë një sforco edhe më të madhe se ajo që kemi kryer”, tha guvernatori.

Tre janë sfidat kryesore që sektori bankar duhet ti bëjë ballë në rrugën drejt integrimit, nga menaxhimi i flukseve valutore, përshtatja me ciklin financiar të BE-së deri tek përafrimi i rregulloreve.

“Së pari, procesi i integrimit nënkupton edhe një ekspozim në rritje ndaj flukseve financiare në formën e investimeve të portofolit. Ato tentojnë të gjenerojnë volatilitet në terma të likuiditetit dhe të kursit të këmbimit. Së dyti, procesi i integrimit nënkupton dhe një ekspozim në rritje ndaj ciklit financiar të Bashkimit Evropian. Së treti, sfidë do të jetë dhe koordinimi i shpejtësisë së konvergjencës së kuadrit rregullator të sistemit bankar me atë të segmenteve të tjera të sistemit financiar. Procesi i integrimit ofron sfida dhe oportunitete po aq serioze për sektorin tonë bankar. Industria jonë bankare duhet të ndërgjegjësohet për pasojat që kjo konkurrencë do të ketë në modelin e biznesit dhe marzhet e fitimit, duke marrë në kohë masat për përballimin e saj”, shprehet guvernatori.

Në këtë fazë kur janë çelur grupkapitujt e parë për integrimin në BE, ministrja e shtetit Majlinda Dhuka tha se s’duhet lejuar cenim i stabilitetit financiar edhe nëse ka kriza.

“Roli i BSH dhe i bankave në rrugën e integrimit në është me rëndësi thelbësore. Ne duhet të përshpejtojmë për t’ju afruar të gjitha mundësive të reja që sjell reformimi evropian. Është e rëndësishme të ruajmë stabilitetin ekonomik të vendit, dhe të konsolidojmë sovranitetin ekonomik. Duhet të bëni investime në sisteme, teknologji dhe në kapitalin human”, tha Dhuka.

Kurse ministri i financave Petrit Malaj fokusin e vuri tek formalizimi i ekonomisë.

“Transformimi digjital, është një nga fushat, ku së bashku  duhet të synojmë nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike, që së bashku me përmirësimin e shërbimeve, do të rriste akoma më shumë aksesin në financë të konsumatorëve shqiptarë. Nga ana tjetër, një masë e tillë do të ndihmonte në reduktimin e parasë “cash”, dhe do të na shërbente për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit”, u shpreh Petrit Malaj

Në pjesën e parë të konferencës guvernatori bëri një panoramë edhe të situatës ekonomike të vendit.

“Pavarësisht sfidave jo të pakta me të cilat jemi përballur gjatë kësaj periudhe, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend është rritur nga 10 në 24 miliardë euro, niveli i papunësisë është reduktuar nga 17.5% në 10.7%, dhe të ardhurat mesatare vjetore për frymë janë rritur nga 3500 në 9200 euro. Në të njëjtën kohë, parametrat kryesorë të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim. Inflacioni ka shënuar një nivel mesatar prej 2.5% gjatë kësaj periudhe, deficiti i llogarisë korrente është ulur nga thuajse 11% në 2% të PBB-së, borxhi i huaj është reduktuar nga 70% në 44% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur nga 72% në 56% të PBB-së”, tha Sejko.

Konferenca dedikuar bankave dhe integrimit është e 17-ta që organizohet në vend mes Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së bankave, ku diskutohet përtej krizave të kaluara dhe vështrim nga sfidat e së tashmes.

E.Gj//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?