Si mund të ruhet një mjedis natyror unik dhe në të njëjtën kohë të krijohet një jetesë e qëndrueshme për popullsinë vendase? Sfida të tilla po tërheqin vëmendjen ndërkombëtare edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Për të analizuar nga perspektiva të ndryshme ruajtjen e natyrës duke ndjekur parimet e zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut 25 anëtarë të Shoqatës Gjermane për Evropën Juglindore zhvilluan një udhëtim studimor, gjatë të cilit eksploruan disa nga peizazhet më të spikatura dhe pikat më të nxehta të biodiversitetit në këto vende dhe në rajonet kufitare mes tyre.
Në kuadër të udhëtimit studimor u zhvillua në Prizren edhe konferenca "Biodiversiteti dhe Ruajtja e Natyrës në Ballkanin Perëndimor”. Prizreni ndodhet në skajin jugor të Malësisë së Sharrit. Parku Kombëtar i Sharrit është pjesë e një prej zonave të mbrojtura më të mëdha në Evropë, që shtrihet në tri vende: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Vjosa dhe aeroporti ndërkombëtar i Vlorës
Lumi i Vjosës ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, si një lumë që ka një biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha, sepse është i pa ndërprerë gjatë gjithë rrjedhjes së tij, që nga burimi deri në grykëderdhje. Në Vjosë ka mbi 250 lloje shpezësh të pranishme. Mbi 150 lloje janë të listuara në konventën e Bernës si lloje të mbrojtura dhe me interes të lartë për ruajtjen.
Por Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i OJQ-së Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), thotë për DË se "ishte zhgënjim i madh që në shpalljen e Vjosës park kombëtar, u la jashtë parkut kombëtar pjesa e deltës së lumit Vjosa, si pjesa më biodiverse e parkut kombëtar. Për ne është shumë të qartë se kjo është bërë për shkak përfitimi, pasi në deltën e lumit Vjosa që prej fund të vitit 2021 po ndërtohet aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, i cili është një investim jo vetëm që po rrezikon ekosistemin të pjesës me biodiversitetin më lartë të Vjosës. Kjo do të ndërpresë edhe një rrugë migratore që mijëra shpendë e përdorin për të migruar nga Evropa në Afrikë, ajo që quhet rruga e migrimit të Adriatikut (adriatic flight ëay). Pra nuk është vetëm ekosistemi i deltës së Vjsosës apo natyra Shqipërisë që po dëmtohen, por prej ndërtimit të këtij aeroporti i bëhet një dëm i jashtëzakonshëm gjithë kontinentit evropian dhe më gjerë.
Trajçe kërkon që të ndalohen menjëherë punimet për këtë aeroport dhe të gjehen zgjidhje alternative për këtë situatë. "Ai aeroport do të sjellë një dëm të pariparueshëm për natyrën e Shqipërisë."
Mediat dhe mjedisi
Ndër temat që u trajtuan në konferencë ishte edhe çfarë mund të bëjnë mediat për të përhapur dhe ngritur vetëdijen për mjedisin dhe mbrojtjes së natyrës në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë panel Adelheid Feilcke, drejtore e programeve për Evropën dhe Ballkanin Perendimor në Deutsche Ëelle dhe gazetarja Behare Bajraktari, drejtuese e programit ON AIR Radio Kosova, emision i profilizuar për tema mjedisore, diskutuan se si mediat mund të mbështesin sistemin edukativo-arsimor për të arritur suksese në kauzat për një mjedis natyrë të pastër për të gjithë./DW