Politikë

Shabani për Report Tv: Dështuam të bashkoheshim! Berisha mori më shumë se ç’i takonin, të largohet nga politika! S’e di vendimin e Lapajt për mandatin, sherri me Shehajn na dëmtoi

20 Maj, 19:28| Përditesimi: 20 Maj, 20:07

  • Share

Koalicioni ku bën pjesë si drejtues, Nisma Shqipëria Bëhet, prodhoi vetëm një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por për Endri Shabanin rëndësi ka fakti se 10% e shqiptarëve votuan partitë e reja, duke qenë përtej PS dhe PD, përtej Ramës dhe Berishës.

I ftuar në “Frontline” nga moderatorja Marsela Karapanço, ai u shpreh se klasa politike së shpejti nën këtë frymë do të ndryshohet, teksa nënvizoi se ai nuk lufton për një rrogë deputeti, por për të ardhmen e vendit.

Konfliktet e brendshme brenda partive të reja, dështimi për t’u bashkuar në një front dhe sistemi elektoral në disfavor, ndikuan edhe në rezultatin përfundimtar.

Shabani u shpreh se punuan deri në fund për një front të gjerë, por s’ia dolën dot, kurse konflikti Lapaj-Shehaj gjatë fushatës i dëmtoi të gjithë.

Kreu i Nisma Thurje e pranon se partitë e reja dështuan, duke mos ia dalë dot për rotacionin, për të larguar nga politika Ramën dhe Berishën më 11 maj.

“Nuk ia kemi dalë për rotacionin. Unë besoja se do e realizonim, por nuk qe e mundur. Disa gjëra janë arritur për të kundërshtuar sistemin, edhe pse u dërgua deri në Kushtetuese, por fatkeqësisht u prodhua ky realitet që kemi tani. Pra ndarja me zona zgjedhore dhe çifligje, nuk ka justifikim politik dhe ekonomik, por deformon edhe përfaqësimin. 65 mijë shqiptarë u përfaqësuan me një mandat, kurse në krahun tjetër u morën shumë mandate nga socialistët për të njëjtin numër votash sa ne. Ca shqiptarë të nënës, e ca të njerkës. Rama nuk përfaqëson shumicën e Shqipërisë. Sot ka më pak edhe se më 2021. Në 35 vite kemi 2 parti që kanë dalë nga partia e Punës. Ka pasur fraksione si i Metës, por vetëm tani është thyer një mit. Forcat e reja bashkarisht kanë marrë 10% e votuesve, që votuan përtej Ramës dhe Berishës”, tha Shabani.

Ai shprehet i bindur se klasa politike do të ndryshohet duke parë edhe votat masive për partitë e reja më 11 maj.

“Ne i kemi të gjitha kushtet për ta ndryshuar klasën politike. Pa eksperiencë e buxhet apo struktura, morëm rezultate inkurajuese. Ne do vazhdojmë betejën në Parlament, këshillat bashkiakë, në rrugë. Kemi organizuar protesta, nisma ligjore, tani mund të iniciojmë projektligje, kërkesa për Komisione Hetimore, megjithëse është shumë pak, vetëm me 1 mandat. Ne kemi një rritje pasi po të shohësh edhe Lulzim Bashën, ka marrë më pak vota sesa kandidati më normal i listës tonë. Po flasim për një njeri që deri 4 vite më parë drejtonte një parti të madhe”, vijoi kreu i “Nisma Thurje”.

Por a do e marrë Shabani mandatin e deputetit të Nismës, nëse Lapaj mban premtimin që dha gjatë fushatës, se nëse do merrnin vetëm një mandat nuk do shkonte në Parlament?

“Asnjë nga ne nuk mori vota mjaftueshëm për të prodhuar një mandat, por të gjithë së bashku prodhuam një mandat. Ai nuk është mandat individual, por i koalicionit. Ne jemi angazhuar për djegien e listave të mbyllura, të gjithë depozituan dorëheqjen, duke mbajtur zotimin. Angazhimi i dytë ishte garimi në listë të hapur. Më i votuari është Adriatik Lapaj. Ai është angazhim i Adriatikut dhe duhet të pyesni atë që ta shpjegojë. Angazhimi jonë është se atij i takon sepse ka marrë më shumë vota se unë. Nëse unë do merrja një votë më shumë nga Adriatiku, do isha unë në Parlament. Nuk i kam hyrë politikës, as unë dhe as Adriatiku e të tjerët, për një rrogë 3 mijë euro të Parlamentit. Çështja është a i japim ne prespektivë rinisë shqiptare. Vendimi është i Adriatikut, nuk e di vendimin që ka marrë. Jemi takuar vazhdimisht, normale”, u shpreh ai për Report Tv.

Pse koalicioni nuk u përqendrua vetëm në qarqet e mëdha ku kishin mundësi për më shumë mandate dhe të maksimalizonin votën dhe a ka pretendime Nisma Shqipëria Bëhet për procesin. Këtyre pyetjeve Shabani iu përgjigj se:

“Ne vepruam me frymë popullore, jo si të tjerët, që aty ku i duheshin votat hodhën para për t’i blerë. Aty ku i duheshin vota hodhën lekë, në Tiranë apo qarqe. Vetë personalisht unë kam votuar gjithnjë për parti të reja, përtej PS dhe PD. A duhet të përqendroheshim në Tiranë? Do ishte mrekulli, por ne nuk mund t’i thonim qytetarit në Kukës se nuk po vijmë të takojmë se nuk marrim dot mandat aty. Kemi pasur një grup faktmbledhës që ka funksionuar për procesin e fushatës, votimit dhe numërimit. Kemi pasur komunikim edhe me SPAK. Në lidhje me shpenzimet apo financimet e fushatës jemi duke i bërë deklarimet në KQZ. Kemi pasur financime e sponsorizime nga KQZ që na ka dhënë 8 mijë dollarë dhe buxhet vjetor 62 mijë dollarë. Krahas kësaj janë kontributet nga aktivistët anembanë vendit dhe jashtë, që monitorohet e auditohet nga KQZ dhe nga ne”.

Ai i cilëson një rrezik jo vetëm për vendin 83 mandatet e socialistëve, por edhe për vetë PS-në. Kurse për Berishën shprehet se edhe 50 mandate i ka marrë më shumë nga çfarë meritonte, pasi duhet të largohet sa më parë nga politika, për t’i dhënë të ardhme vendit dhe partisë.

“83 mandatet e Ramës janë fatkeqësi jo vetëm për vendin, por edhe për PS-në. Berisha me 50 mandate është më shumë se çfarë meriton. Ai duhet të largohet nga politika, ai duhet t’i japë të ardhme politikës, vendit dhe vetë partisë. Partitë e mëdha vetëm qahen, edhe pse kanë roje numërues e vëzhgues. Aseti më i madh i Ramës është Berisha, nuk ka aset më të madh për të për këtë fitore. Por unë mendoj se humbësja më e madhe e zgjedhjeve është opozita. Rama takoi kryeministrin britanik Keir Starmer, është i pesti që takon sa është kryeministër. Rama është akoma kryeministër, kurse Britania i ka ndryshuar. Në Shqipëri u larguan 400 mijë shqiptarë, kurse në Britani popullsia është shtuar me 5 mln gjatë viteve që Rama ka qenë në qeveri”, nënvizoi Shabani.

Ai beson se Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së së shpejti, jo vetëm për meritë të Ramës, por më shumë faktorit gjeopolitik.

“Jam i bindur se ne do jemi pjesë e BE-së, jo për shkak të reformave, por për shkak të gjeopolitikës. Për hir të së vërtetës Rama ka një administratë profesionale që nuk merr meritën e duhur, sepse atë e merr Rama, por procesi është pozitiv dhe po ecën në përshtatjen e legjislacionit të BE-së”, shpjegoi kreu i Nisma Thurje.

Po përse nuk u bashkuan dot partitë e reja, cilat faktorë ndikuan dhe cilat janë projektet politike të koalicionit për të ardhmen.

“Do doja të ishim në një front, sepse do të kishim më shumë mandate, zëra, vesh dhe njerëz në tavolinën e Parlamentit. Nuk u bëmë bashkë jo për fajin tonë, por punuam që t’ia arrinim deri në fund. Konflikti i Lapajt me Shehajn duhet të ishte shmangur, sepse i ka dëmtuar të gjithë. Ka dëmtuar edhe vetë Agron Shehajn, por nuk duhet të kishte ndodhur. Pati probleme gjatë numërimit, por kishte edhe keqkuptime gjatë procesit. Ne patëm dy raste dhe rezultoi se procesverbali i numëruesve ishte i saktë.

Kemi disa projektligje që do i çojmë në Parlament. Si ai i barrës së taksave, projektligje për të lehtësuar të rinjtë. Të hapim edhe një pikë para Kuvendit për abonetë e autobusëve për deputetët. Të bëjmë “abonenë e deputetit” që edhe ata ta shohin se si jetojnë qytetarët”, vijoi Shabani diskursin e tij për “Frontline”.

Ndërsa në fund e mbylli me një projeksion premtues për forcën që përfaqëson.

“Besoj se ato 70 mijë vota, shumë shpejt do bëhen 700 mijë”, përfundoi ai.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jimmy: 20/05/2025 21:56

    Ky ligj ishte!!nuk u be kur erdhet ju!ju deshtuat sepse ne vend ti binit rames dhe perbindshit po hanit kokat me njeri tjetrin!prandaj dhe un ju vura vizen si parti si juve dhe shehut!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?