Forcat e reja politike do të përfaqësohen në Parlament pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe do të krijojnë një grup parlamentar.
Ky ishte besimi i shprehur sot në emisionin “Studio Live” të Report TV kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani.
I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj nëse forcat e reja opozitare do të bashkohen, ai e pohoi, duke nënvizuar se vetëm të bashkuar mund të arrihej diçka, pasi më herët shumë parti dhe kryetarë partish të reja ishin dorëzuar duke u larguar apo dorëhequr.
Shabani doli edhe për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të listave të mbyllura që dakordësuan partitë e mëdha në Kodin Elektoral, duke u shprehur se “listat duhet të jenë të hapura, nuk duhet ta zgjedhë kryetari i partisë deputetin, por votuesi”.
Gjithashtu këmbënguli edhe për votimin elektronik, pasi kjo shmang “përplasjet e elektoratit” dhe “çunat e palestrave me Range Rover” që rrinë te qendrat e numërimit për të pritur kutitë.
Pyetjes pse sulmohen më shumë nga e djathta se e majta, Shabani iu përgjigj:
“Lufta e këtyre është për monopolin e opozitës. Dhe meraku i elektoratit është se kur shohin Berishën në krye të opozitës, thonë ky s’e mund dot Ramën! Ata kanë frikë mos humbasin monopolin e opozitës, luftë tipike për pushtet dhe godasin ata që i rrezikojnë. Nuk e kanë luftën me partinë tjetër, pasi e dinë që do humbasin zgjedhjet dhe thonë më mirë rrimë opozitë dhe mbajmë partinë, duke goditur forcat e reja që i rrezikojnë. Këta deligjitimojnë votuesit, i dekurajojnë dhe duke humbur zgjedhjet mbajnë kontrollin e opozitës. Berisha është formuar në marksizëm-leninizëm, përdor metodat staliniste të eliminimit të kundërshtarit. Këta merren me karakterin, jo me veprimet. Berishës tani i kanë rënë dhëmbët, por dikur përdorte skampistat, njerëzit me ZIS apo BÇ”.
Kurse gazetari Anri Bala e pyeti Shabanin nëse do dorëhiqej po të humbiste zgjedhjet dhe nuk përfaqësohej në Parlament.
“Është krijuar mentalitet, edhe Berisha me të njëjtin mentalitet, thonë s’kam pse iki. Të njëjtën gjë dhe Rama. Shumë janë dorëzuar, janë dorëhequr pas humbjes. Përfaqësues të forcave të reja që janë dorëzuar, kurse ne po rezistojmë. Nuk e kam problem dorëheqjen, a ka më të mirë se unë te nisma, sigurisht që po! Por ideja është të bashkohemi, të rezistojmë dhe vazhdojmë. Kemi marrë pjesë më 2021, më 2023 dhe do marrim pjesë më 2025, nuk jemi dorëzuar dhe kjo ka rëndësi. Shumë të rinj te ne s’duan të ekspozohen, nuk dalin sepse rrezikohen, intimidohen, ose kanë familjarë në vende pune që mund të rrezikohen. Është më e lehtë të japësh dorëheqjen se të mos dorëzohesh”, tha Shabani.
Më tej ai konfirmoi se bashkë me formacionin “Shqipëria Bëhet”, “Nisma Thurje” ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kodin për listat mbyllura që kaluan PS dhe PD në Parlament.
“Bashkë me ta kemi shkuar në Kushtetuese, që Ligji 8144 të shfuqizohet për listat e mbyllura dhe të lihen listat e hapura. Çdo parti të vendosë vetë se si i do, por jo t’ua imponosh të gjithave. Në 2021 80 për qind e ushtruan të drejtën e përzgjedhjes së listës, kurse tani u është hequr. Parimi kushtetues është që një e drejtë e dhënë nuk hiqet më pas. Deputetin duhet ta zgjedhë votuesi dhe jo Rama apo Berisha. Ata kanë mashtruar edhe votuesin e tyre”, u shpreh ai.
Më tej kujtoi se “nuk e kishte menduar kurrë se qeverisja e Ramës do ishte me e keqe se e Berishës”, pasi sipas tij, “shumë të rinj sot e kuptojnë se s’mund të dalin kundër kryetarit të PS, sepse është një sistem ku nuk mund të përfitojnë po folën kundër, si dhe s’ka reformim”.
“PS ka ulje gati 20 për qind votues nga 2021 në 2023. Numri i forcave politike është i madh, por këta kanë vështirësuar procedurat me Kodin e ri, e vështirë të regjistrohesh, duhen 7 mijë firma të noterizuara dhe me karta identiteti. Ne do bashkëpunojmë me forcat e reja politike, pasi me të vjetrat është e vështirë. Por ne do bashkëpunojmë për çështje me interes të përbashkët, ka disa pika”, tha Shabani.
Ai këmbënguli te njerëzit që duan përfaqësim, ata që janë mërzitur me forcat e mëdha politike, me Ramën, Metën, Berishën dhe duan fytyra e njerëz të rinj që i përfaqësojnë. Shabani është edhe kundër qeverisë teknike, pasi siç shprehet ai “u provua më 2017 dhe përsëri ata humbën, Gaz Bardhi ishte ministër dhe prapë humbi”. Shabani theksoi se e kërkojnë për përfitime personale, për të marrë disa sektorë dhe përfituar diçka.
“Nëse forcat e reja bashkohen dhe përballen ndodh si me zgjedhjet në Venezuelë, ku opozita u bashkua dhe fitoi. Unë kam besim e shpresë te votimi elektronik. Votimi elektronik redukton përplasjen e shqiptareve dhe elektoratit, votuesit dekurajohen. Por besoj se në zgjedhjet e 2025 forcat e reja do përfaqësohen në Parlament dhe do krijojnë grup parlamentar. Madje qëllimi është që edhe të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme nëse kemi ndikim në numra”, tha ai.
Pyetjes së moderatorit Arbër Hitaj se nga do shkonte nëse do ishte ‘kingmaker’, pra të përcaktonte qeverinë e re, Shabani tha:
“Mund te jenë ata që të vijnë me ne, pse të jetë e kundërta, pse të jemi ne? Mund të jenë PS dhe PD që të na kërkojnë në. Por ata mund të bëhen bashkë, s’mund t’i futesh një çifti që janë 20 vite bashkë, kur vjen momenti ata bashkohen nëse e shohin se janë të rrezikuar. Ne jemi për rinovimin, duke i krijuar krizë politike të vjetërve. Mendoni një politikan që ka 34 vite pushtet, edhe ujin po ta lësh 34 vite në një vend qelbet dhe zë baktere!”.