Politikë

Shabani për Report Tv: Tre familje kanë marrë peng vendin, janë bërë rrjetë merimange! PD e PS s’do jenë në pushtet pas 11 majit, do u vëmë ‘këmbën’ te dera

21 Prill, 22:39| Përditesimi: 21 Prill, 23:02

  • Share

Qytetarëve shqiptarë “u ka ardhur në majë të hundës me 3 figurat politike që përfaqësojnë tre familje në pushtet, të cilat janë kthyer në rrjet merimange dhe kanë marrë peng vendin.

Kështu u shpreh kreu i “Nisma” Endri Shabani, njëkohësisht drejtues i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Ai ishte i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, ku shpjegoi pikat e programit dhe strategjinë se si një forcë e re politike do futet në mes të PS-PD për ta rrëzuar këtë dualitet politik në tre dekada.

“Shqipëria ka ndryshuar. Kemi situata të tjera. Kemi diasporë me 250 mijë emigrantë që kanë të drejtë të votojë. Kemi një SPAK që po vepron këtë herë për hetimin e krimit elektoral. Kemi raste të denoncuara, kemi një qeveri që ka 12 vite në pushtet, një Berishë që kërkon të rikthehet përsëri. Kemi parti të vogla e të reja të bashkuara dhe më 11 maj mund të kemi ndryshim. Unë nuk jam nga ata që mendoj se koalicioni Shqipëria Bëhet do dalë forcë e parë. Jo, s’ka nevojë të dalë e para, sepse e shohim se Rama ka rënie të përqindjes. Nëse Rama bie me 3% ai nuk bën dot qeveri, pra ne duam të vendosim këmbën në derë, që ta pengojmë PS, të detyrojmë PD të reformohet, apo t’i detyrojmë që bashkëqeverisin PD-PS duke e kthyer në aktin e tyre të fundit për mbarimin e tranzicionit”, tha Shabani, i pyetur nga moderatori Ilir Babaramo për projektin politik.

Shabani theksoi se ata kanë qenë edhe radikalë në politikën e tyre, duke e bërë edhe me veprime, duke denoncuar 6 raste në SPAK, teksa edhe dy ministra janë arrestuar.

“Ne duam të goditet edhe pasuria e të korruptuarve, të sekuestrohen pasuritë. Ne jemi përgatitur për betejë. Përveç financimit nga KQZ dhe fondet nga mbështetësit, ne kemi një palë atlete të mira, një celular, fletëpalosje. Ne kemi 100 mijë ndjekës çdo ditë në rrjetet sociale, por edhe në takimet elektorale, edhe në kohë me shi, vijnë qytetarë që na mbështesin e na dëgjojnë”, shtoi ai.

Ai shpjegoi se problemi në Shqipëri janë 3 familje që kanë marrë peng vendin, duke atakuar Ramën, Berishën dhe Metën.

“Problemi nuk është vetëm PD dhe PS, por janë emrat, 2 njerëz, Rama dhe Berisha, prej tre dekadash. Në Angli sa bëra shkollimin, u ndërruan 6 kryeministra e kryetarë partish. Por këtu është një rrjet merimange, kanë kapur deri edhe universitetet. Janë tre familje që e kanë marrë vendin peng. Shoqëria shqiptare është gati për t’i dhënë fund kësaj. E harruan Fatos Nanon për një javë, ne duam t’i japim fund këtyre tre familjeve dhe ka ardhur momenti. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me këto tre figura e familje. Ne luftojmë për shtresën e mesme”, vijoi kreu i “Nisma”.

Gazetari Flogert Muça shprehu mendimin se në formacionin që janë ndarë partitë e reja e të vogla e kanë të vështirë të çajnë binomin PS-PD.

“Unë mendoj se është e vështirë ta thyesh këtë formacion politik të PS dhe PD që janë në pushtet në kaq vite. Kemi shumë parti dhe fytyra të reja, por shumë pak të rinj, pasi të tjerët janë të sprovuar në politikë. Duke parë këto efekte përballë organizimit të fortë të të vjetërve, përfshi edhe sistemin elektoral penalizues, ata janë të vështirë për t’u çarë dhe janë në disfavor të Shabanit dhe të tjerëve. Problem është shtrirja kapilare e forcave të mëdha në çdo qelizë. Këto parti nuk kanë probleme largimin e kryetarit, por të strukturës dhe funksionimit, që i qëndrojnë kryetarit korrekt”, tha ai.

Kurse gazetari Poli Hoxha nënvizoi paktin dhe marrëveshjet PD-PS mes të tjerash:

“Këta janë bërë bashkë. Harxhuan miliona euro për votimin elektronik dhe në fund nuk e bënë, sepse nuk u intereson”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?