Ministrja e Arsimit Besa Shahini tha në një intervistë për Report Tv me gazetaren Aida Tancica, se nëse do të jetë nevoja, viti shkollor do të shtyhet, ndoshta me një muaj. Ndërsa sa i përket maturantëve që do duhet të nisin shkollën e lartë, Shahini tha se nëse do të krijohet nevoja, do të shtyhen po me një muaj edhe aplikimet për në universitet.
Ky vendim do të duhet të merret nëse brenda muajit maj nuk do të ketë mundësi që nxënësit të shkojnë fizikisht në shkollë, për të marrë leksione dhe mësime drejtpërdrejt nga mësuesit, dhe jo online siç po praktikohet deri më tani.
E pyetur nëse do të zgjatet mësimi, ministrja u përgjigj: "Në një nga skenarët është edhe kjo e paraparë. Nuk është skenar që e pëlqejmë. Do donim të mbyllej viti në kohë, nëse jo në korrik, së paku nga korriku do donim që maturantët të kishin diplomat, për të filluar shkollën e lartë. Nëse nuk arrijmë t'i hapim shkollat në maj, duhet ta shtyjmë pak vitin shkollor. Maturantët i kanë zgjedhur lëndët që duan t'i bëjnë në maturë dhe kanë përzgjedhur ku duan të regjistrohen në fakultet. Nuk ka ndonjë konfuzion në lidhje me ato se ku aplikojnë maturantët dhe si shkon ky proces, e vetmja gjë që do vendosim, është nëse shtyhen datat e aplikimit për në universitet, që e kemi në dorë, universitetet kanë mirëkuptim se jemi në situatë pandemie. Nëse na shtyhet viti shkollor për një muaj, i shtyjmë datat e regjistrimit për në universitet. Në këtë pikë ku jemi nuk është e nevojshme, por nëse do të jetë, do t'i shtyjmë datat për aplikim në universitet"
Lajmi kryesor:
Ministrja Shahini për Report Tv: Nëse nuk i hapim shkollat brenda majit, e zgjasim vitin shkollor me 1 muaj
G.M.//ReportTv.al