Ministrja Shahini ka zhvilluar në takim me drejtuesit e drejtorive dhe zyrave arsimore vendore.
Në videon e publikuar nga takimi, Shahini shprehet se është bërë një riorganizim i planeve mësimore që dy javët e para të fillimit të vitit të ri shkollor të jenë prapë përsëritje për të gjithë nxënësit, të cilët kanë marrë mësim në kushte shtëpie gjatë pranverës së këtij viti, por të cilët ndoshta nuk ndihen ende me vetëbesim të plotë që i kanë marrë mësimet në mënyrën e njëjtë sikur të ishin në shkollë.
Paralelisht, me gjithë përgatitjen për hapjen e shkollave, Shahini nënvizon se “ne kemi bërë edhe gjithë ndërtimin e platformës për mësimin online dhe organizimin e punës për mësim në kushte shtëpie”, ndërsa shprehet se kjo do të ndihmojë sidomos në zonat ku ndoshta shkollat nuk mund të punojnë me orar të plotë.
Nxënësit duhet të bëjnë mësim të kombinuar një pjesë të kohës ta kalojnë në shkollë, dhe një pjesë të lëndëve apo disa ditë të bëjnë mësim në kushte shtëpie.
Sipas saj gjatë gjithë verës mësuesit kanë bërë xhirimet e orëve mësimore për kanalin e dedikuar “RTSH Shkolla”. Ministrja Shahini nënvizon gjithashtu se tashmë “kemi një platformë unike, ku i kemi të gjitha videot dhe mësuesi mund të rrijë në kontakt me nxënësin, të cilit i duhet të punojë në kushte shtëpie”.
Në lidhje me këtë platformë, Shahini është shprehur se MASR është në diskutim edhe ministrinë e arsimit në Republikën e Kosovës, në mënyrë që e njëjta platformë të përdoret në të gjithë trevën shqipfolëse dhe nxënësit të mund të mësojnë nga njëri-tjetri e mësuesit të kenë mundësi të shkëmbejnë përvojat e tyre më të mira. “Ne tashmë me Kosovën përdorim një kurrikul të përbashkët për arsimin parauniversitar, kështu që nuk shohim asnjë arsye pse nuk do ishte e mundur që ta përdorim një platformë unike për mësimin në kushte shtëpie”, shton ajo.
Në fund, Ministrja Shahini shprehet se “shpreson që kjo gatishmëri për t’u kthyer në shkollë, të vijë edhe me një rritje të përgjegjshmërisë nga të gjithë pjesëmarrësit në shkollë që të përgatiten sa më shumë që është e mundur për ta ruajtur shëndetin e vet, si dhe shëndetin e atyre që i kanë përreth, si në shkollë, bashkëmoshatarët e tyre dhe mësuesit, apo edhe kur të kthehen në shtëpi, anëtarët e familjes”.