Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se kaosi në seancën e konstituimit të Kuvendit të Serbisë u karakterizua me akuzat e ndërsjella mes pozitës dhe opozitës se kush është bashkëpunëtor i Kurtit.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka shkruar se nën fishkëllimat e opozitës ka dështuar përfundimi i seancës konstituive në Serbi.
“Teatër absurdi në parlamentin e Serbisë. Nën fishkëllimat e opozitës dështon përfundimi i seancës konstituive në Serbi. Përveç verifikimit të mandateve nuk është arritur që të zgjedhet kreu i parlamentit, sepse opozita me protestat përmes fishkëllimave nuk ka lejuar vazhdimin e seancës. Nuk dihet kur do të jetë vazhdimi. Gjithë kjo tollovi u karakterizua me akuzat e ndërsjella pozitë-opozitë se kush është ‘bashkëpunëtorë i Kurtit’. Sidoqoftë, bashkë me Ahmedinin dhe Selmën nga SDA do të vazhdojmë angazhimin tonë në një mjedis politik parlamentarë të kontaminuar”, shkroi ai.
Deputetët e opozitës në Kuvendin e Serbisë sot ishin para foltores me pankarta ku shkruhej “I keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”. Lista e opozitës 'Serbia kundër dhunës' pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që pozita e refuzon.
Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, deputetët e koalicionit 'Serbia kundër dhunës' e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë.