Një 32 vjeçare nga Berati është denoncuar nga shefja e spitalit Infektiv Najada Çomo, pasi e ka shantazhuar këtë të fundit prej 2 javësh përmes telefonatave.
Gazetari i Report Tv Sokol Dema raporton se e reja e merrte prej 2 javësh në telefon dhe i fliste me fjalë banale, duke e shantazhuar. Pas telefonatave të shumta Çomo ka bërë denoncim dhe çështjen e ka marrë në dorë prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimin për të renë.
32-vjeçarja nga Berati, e cila ka shqetësuar me telefonata të shumta shefen e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, është shprehur para hetuesve se nuk ka patur qëllim që të shqetësoj Çomon. Sipas saj, nuk ishte në dijeni se numri të cilin kontaktonte ishte i Najada Çomos, por i një tjetër personi, që sipas saj e njihte.
"Më datë 15.02.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen M. Ç., (S), 32 vjeçe, banuese në Berat, sepse prej datës 28.01.2021 dhe në vazhdim, ka shqetësuar me telefonata të shumta, shtetasen N. Ç", thotë policia.
Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në një vit.