Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën për një ndihmë shtesë prej gati 6 miliardë dollarësh për Ukrainën. Presidenti Joe Biden po përdor javët e tij të fundit në detyrë për të rritur ndihmën për Kievin përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë punë.
Presidenti Biden njoftoi për dhënien e 2.5 miliardë dollarëve ndihmë për sigurinë e Ukrainës. Ndërkohë Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion 3.4 miliardë dollarë shtesë për ndihmë për buxhetin e Ukrainës, duke i dhënë vendit të shkatërruar nga lufta burime kritike mes intensifikimit të sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase.
“Nën udhëheqjen time, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë pa pushim për të forcuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë në pjesën e mbetur të kohës sime në detyrë”, tha Presidenti Biden në një deklaratë.
Njoftimi i Presidentit Biden përfshin 1.25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake të marrë nga rezervat e Shteteve të Bashkuara dhe një ndihmë tjetër prej 1.22 miliardë dollarësh nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), pjesa përfundimtare e USAI-t gjatë kohës së zotit Biden në detyrë.
Sipas iniciativës USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose partnerët, në vend që të merren nga rezervat amerikane, që do të thotë se mund të duhen muaj ose vite për të mbërritur në fushën e betejës.
Po bëhen gati tre vjet nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë dhe së fundmi rusët kanë përdorur trupat e Koresë së Veriut për të forcuar pozicionin e tyre luftarak.
Trupat koreano-veriore po përjetojnë humbje të mëdha në fushën e betejës, me 1000 trupa të tyre të vrarë ose të plagosur vetëm gjatë javës së fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha javën e kaluar zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Presidenti Biden tha se ndihma e re do t'i sigurojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm të ndihmave që ajo vazhdon t’i përdorë me sukses të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjata të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe sistemeve të tjera kritike të armëve”.
Gjatë luftës gati tre vjeçare, Uashingtoni ka dhënë ndihmë për Ukrainën me vlerë prej miliarda dollarësh, por është e pasigurt nëse kjo do të vazhdojë me të njëjtin ritëm nën zotin Trump, i cili zëvendëson Presidentin Biden më 20 janar. Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë se dëshiron t’i jap fund luftës me shpejtësi.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump vuri në dyshim nivelin e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në këtë luftë, duke sugjeruar se aleatët evropianë duhet të mbajnë më shumë barrën financiare.
Disa nga kolegët e tij republikanë, të cilët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin nga muaji i ardhshëm gjithashtu kanë treguar se nuk janë të prirur të vazhdojnë dërgimin e më shumë ndihmave Kievit.
Një zyrtar amerikan tha se ndihma e fundit e çon totalin e ndihmës buxhetore amerikane për Ukrainën në pak më shumë se 30 miliardë dollarë që nga fillimi i agresionit të Rusisë në shkurt të vitit 2022. Shumica e këtyre fondeve përdoren për të mundësuar funksionimin e qeverisë së Ukrainës, duke u paguar paga mësuesve dhe punonjësve të tjerë të shtetit.
Uashingtoni ka dhënë veçmas rreth 61.4 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Kievin që nga fillimi i luftës, sipas Pentagonit.
Presidenti Biden tha se Departamenti i Mbrojtjes është duke punuar në dorëzimin e qindra mijëra predhave të artilerisë, mijëra raketa dhe qindra automjete të blinduara “të cilat do të forcojnë aftësitë e Ukrainës ndërsa ajo kalon dimrin”.
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se ndihma e vazhdueshme ekonomike për Ukrainën është thelbësore për funksionimin e shërbimeve të saj qeveritare dhe të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e saj, duke paralajmëruar kundër lëvizjeve për të shkurtuar fondet.
“Suksesi i Ukrainës është në interesin kombëtar të Amerikës”, tha ajo, duke u zotuar të vazhdojë të bëjë trysni ndaj Moskës me sanksione dhe të ndihmojë në forcimin e pozitës së Ukrainës për të arritur një paqe të drejtë.
“Ne nuk duhet të tërhiqemi nga kjo përpjekje”./ VOA
Keto arme nuk jane per ta ndihmuar Ukrainen por per ta shkaterruar me keq ate , kurse amerikanet fitojne duke shitur armet e tyre
Përgjigju