Hedhje e gazit lotsjellës, përdorim i “plumbave jo vdekjeprurës”, ushtarë të pajisur me uniformë lufte, shkopinj gome, spraj djegës, armë lufte dhe helmeta. Shtytje ndaj protestuesve, të cilët mbanin pankarta me mbishkrimin: “Arsimim, jo depërtim”. Skena që të kujtojnë Amerikën Latine të viteve ’70 janë parë në rrugët e Los Anxhelosit, ku turma është përballur me agjentët e ICE, agjencisë së imigracionit, të angazhuar në 3 aksione për të arrestuar dhe deportuar emigrantët e paligjshëm.
Agjentët kishin në shënjestër disa dyqane, të dyshuara për punësim klandestinësh, nga Home Depot në distriktin Wetlake deri te ato në Fashion District, ku ndodhen fabrika të veshjeve, në jug të qytetit. Agjentët janë rrethuar nga qytetarët, të cilët kanë nisur protestën. Disa hodhën gurë. Situata doli jashtë kontrollit. Më shumë se 40 persona u arrestuan, mes tyre edhe një sindikalist. Këto operacione krijuan një përçarje me policinë e Los Anxhelosit, e cila refuzoi të marrë pjesë. Konsullata e Përgjithshme e Meksikës ofroi ndihmë ligjore për meksikanët e përfshirë. Sipas disa dëshmitarëve, një aksion u zhvillua edhe në një shkollë në Koreatown, mes Chinatown dhe Beverly Hills.
Angelica Salas, drejtoreshë ekzekutive e organizatës jofitimprurëse Coalition for Humane Immigrant Rights, ngriti alarmin: “Komuniteti ynë — deklaroi ajo në një tubim të improvizuar — është nën sulm dhe i terrorizuar, këtu kemi punëtorë, familje, kjo gjë duhet të marrë fund”. Kryebashkiakja e Los Anxhelosit, Karen Bass, dënoi aksionet: “Ato mbjellin terror në komunitetet tona dhe shkelin parimet bazë të qytetit tonë”.
Presidenti Donald Trump, me popullaritet në rënie, ka kërkuar rritjen e numrit të deportimeve për të dhënë “shifra rekorde” amerikanëve dhe për të rritur mbështetjen në sondazhe, por kjo kthesë dramatike po ushqen një tension shoqëror që përshkon gjithë vendin.
Në Truth Social, Trump siguroi se do të ndërhyjë nga Uashingtoni. “Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newscum, dhe kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, nuk janë në gjendje të bëjnë punën e tyre, siç e dinë të gjithë, ndaj qeveria federale do të ndërhyjë dhe do të zgjidhë problemin e revoltave dhe plaçkitësve në mënyrën e duhur”, shkroi presidenti në rrjetet sociale, duke përdorur pseudonimin përçmues ndaj guvernatorit të Kalifornisë Newsom, ku “scum” do të thotë “mbeturinë”. Pak më herët, “cari i kufijve” Tom Homan kishte deklaruar në një intervistë për Fox News: “Do të ndërhyjë Garda Kombëtare sonte, do të dërgojmë 2 mijë ushtarë”. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, u hodh kundër protestave, duke i cilësuar si një “kryengritje” kundër Shteteve të Bashkuara.
Po protestojnë edhe amerikanët e bardhë. Në javët e fundit janë regjistruar përplasje në San Diego, Çikago, Minneapolis, Atlanta, Columbia, Houston. Zinxhirë njerëzorë në mbrojtje të emigrantëve po formohen në mënyrë spontane. Në disa qytete, agjentët e ICE janë detyruar të tërhiqen, të rrethuar nga njerëz që u filmuan fytyrat me celularë. Nën akuzë janë edhe mënyrat e arrestimeve: njerëzit ndalohen kur paraqiten për takimet e tyre zyrtare për të marrë lejen e qëndrimit. Disa shkolla kanë zbuluar se fëmijë të munguar për ditë të tëra janë arrestuar, vënë në pranga dhe deportuar bashkë me prindërit.
Ndërkohë, është kthyer në SHBA dhe ndodhet i mbyllur në një burg në Tennessee Kilmar Abrego Garcia, i deportuar gabimisht në Salvador pa gjyq. Pasi qëndroi në kundërshtim për javë të tëra, qeveria Trump u detyrua të zbatojë urdhrin e gjykatave, por e akuzoi emigrantin për trafik qeniesh njerëzore. Hetimi, i nisur menjëherë pas deportimit, paraqet shumë pikëpyetje. Një nga hetuesit dha dorëheqjen, duke akuzuar qeverinë se e kishte paditur Abrego Garcian për “arsye politike”.
Ky burrë përshkruhet si një baba familjeje në Maryland prej 14 vitesh, i deportuar në mars pavarësisht një urdhri mbrojtjeje që e ndalonte. Qeveria e kishte pranuar gabimin, por nuk kishte ndërmarrë masa për ta ndrequr. Pastaj, për të shmangur një përplasje institucionale, u tërhoq. Disa javë më parë, për të shpëtuar imazhin e tij, Trump kishte publikuar një foto ku Abrego Garcia kishte një tatuazh me mbishkrimin “Ms-13”, që nënkuptonte anëtarësi në një bandë kriminale. Fotoja rezultoi të ishte false./La Repubblica
Komente
