Berisha dhe një poster i Daniel Ortegas në Nikaragua

Politikë
Bota

SHBA: Berisha si Ortega! Edhe Presidenti i Nikaragua shpallet 'non grata' bashkë me familjen

17 Nëntor 2021, 11:34| Përditesimi: 17 Nëntor 2021, 15:59

  • Share

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka vendosur të shpallë 'non grata' një tjetër president. Është marrë vendimi drastik për Presidentin e Nikaraguas, Daniel Ortega së bashku me familjen e tij dhe ministrat. Presidenti amerikan përveç Ortegës, i ka ndaluar hyrjen në SHBA dhe bashkëshortes së tij, zv/presidentit Murillo si dhe disa ministrave të tjerë të vendit të Amerikës Qendrore nën akuzën se kanë kryer “atentat” ndaj demokracisë. “Represioni dhe abuzimet e qeverisë së Ortegës dhe të atyre që e mbështesin, detyruan Shtetet e Bashkuara të reagojnë”,– shkruhet në dekretin e presidentit Biden.

Sali Berisha dhe familja e tij në listën e zezë të SHBA

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Sali Berishën ‘non grata’ më 19 maj 2021, si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. SHBA e akuzoi Berishën se ka përdorur retorikën e tij për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politik nga hetimet e pavarura anti-korrupsion dhe masave llogaridhënëse. Sekretari amerikan i shtetit teksa bëri të ditur vendimin e SHBA garantoi se amerikanët do të jenë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët në Shqipëri, ndërsa theksoi se Berisha ka minuar demokracinë.

Kush është Daniel Ortega

Daniel Ortega u rizgjodh President në nëntor në zgjedhjet presidenciale të denoncuara nga presidenti amerikan, Joe Biden, si një "mashtrim". Shumica e kundërshtarëve të Ortega janë të burgosur ose në mërgim.  Me shtatë sfidues të mundshëm presidencialë të arrestuar që nga qershori, 75-vjeçari Ortega siguroi mandatin pesë vjeçar, të katërtin me radhë dhe të pestin në përgjithësi, me gruan dhe nënpresidenten e tij, Rosario Murillo, 70 vjeçare, pranë tij. Daniel Ortega u përball me pesë pretendentë presidencialë, por vetëm në emër, meqë të gjithë janë bashkëpunëtorë të regjimit. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një deklaratë se rezultati ishte "montuar” shumë kohë përpara zgjedhjeve "të rreme" të së dielës.

Ish-heroi i guerilëve, Daniel Ortega, ka arrestuar rreth 150 vetë, përfshirë 39 udhëheqës të opozitës që u arrestuan që nga qershori në prag të zgjedhjeve të së dielës. Rreth 100,000 nikaraguanë të tjerë kanë ikur në mërgim. Frika dhe apatia kishin mbërthyer 4.4 milionë votuesit e regjistruar në vendin me 6.5 milionë banorë. Anëtarët e Frontit Nacional Çlirimtar Sandinist (FSLN) në pushtet të Daniel Ortegës, shkuan shtëpi më shtëpi duke thirrur qytetarët që të hedhin votën e tyre. Qendra e Nikaraguas për të Drejtat e Njeriut (Cenidh) tha se Nikaragua ishte një "shtet policor" që përdori taktikat e "frikës (dhe) të kontrollit social" për të "shtypur opozitën". Një marksist i zjarrtë në rininë e tij, Ortega sundoi Nikaraguan nga viti 1979 deri në vitin 1990, pas rrëzimit të diktatorit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Anastasio Somoza Debayle. Pas kthimit në pushtet në vitin 2007, ai u rizgjodh tre herë, duke u bërë gjithnjë e më autoritar dhe duke shkelur kufijtë e mandatit presidencial. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë vendosur sanksione kundër anëtarëve dhe aleatëve të familjes Ortega.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?