Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se nuk do të dërgojnë zyrtarë qeveritarë në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin, pasi Kina u zotua se do t’i "kundërpërgjigjej" çdo bojkoti të tillë diplomatik.
Presidenti Joe Biden tha muajin e kaluar se ai po shqyrtonte mundësinë e një bojkoti të tillë diplomatik mes kritikave për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Kina, duke përfshirë atë që Uashingtoni thotë se është gjenocid kundër myslimanëve të pakicës në provincën perëndimore të Xinjiangut.
"Administrata Biden nuk do të dërgojë asnjë delegacion diplomatik ose zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore dhe Paraolimpike të vitit 2022 në Pekin, duke patur parasysh gjenocidin e vazhdueshëm të Republikës Popullore të Kinës dhe krimet kundër njerëzimit në Xinjiang dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki në një konferencë shtypi të hënën.
"Dërgimi i një delegacioni diplomatik ose zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara do t'i trajtonte këto lojëra si çështje pune normale përballë abuzimit skandaloz të të drejtave të njeriut dhe mizorive të Republikës Popullore të Kinës në Xinjiang, dhe ne thjesht nuk mund ta bëjmë këtë", tha zonja Psaki.
Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Bojkoti diplomatik, i cili ishte inkurajuar nga disa ligjvënës të Kongresit amerikan disa muaj më parë, nuk do të ndikojë pjesëmarrjen e atletëve amerikanë në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin, tha zonja Psaki./VOA