Kosova & Rajoni

SHBA: Çështja e liqenit të Ujmanit mes Serbisë e Kosovës të rregullohet sipas traktatit tonë me Kanadanë për lumin Kolumbia

23 Qershor 2021, 18:23| Përditesimi: 23 Qershor 2021, 18:27

  • Share

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.Në një postim në Twitter të Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit amerikan të Energjisë – Laboratori Kombëtar “Veriperëndimor i Paqësorit”, shënon përmbushjen e një nga angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit të arritur më 4 shtator 2020.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqe artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.

Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve.

Traktaki i lumit Kolumbia është arritur në vitin 1961 midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshje u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin Montana në SHBA.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, traktati mundëson menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe ofron përfitime thelbësore për miliona njerëz në të dy anët e kufirit.

“Traktati ka lehtësuar përfitime shtesë si ujitja, përdorimi i ujit për nevoja lokale, përdorimi industrial, lundrimi dhe rekreacioni”, thuhet në ueb faqen e DASH-it.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Marrëveshja përfshin një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët ishin pajtuar që SHBA-ja të kryejë studim fizibiliteti në Liqenin e Ujmanit me “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.

Më 20 tetor, një ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi Planin e zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit, në Kosovë qëndroi një delegacion amerikan me qëllim të bisedimeve për studimin e fizibilitetit për Ujmanin.

Në procesin e dialogut, Serbia kishte insistuar vazhdimisht që menaxhimi i Ujmanit të jetë në kompetencë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e kishte refuzuar kategorikisht pala kosovare.

Ky liqe konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, “Trepça” dhe “Ferronikeli” varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit./REL

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?