SHBA dhe BE reagojnë ndaj grushtit të shtetit në Gabon

31 Gusht 2023, 19:15| Përditesimi: 31 Gusht 2023, 19:33

  • Share

Junta ushtarake në shtetin afrikan, Gabon mori pushtetin, rrëzoi dhe vendosi nën arrest shtëpiak Presidentin Ali Bongo dhe emëroi një gjeneral si udhëheqës të ri të vendit.

Gjenerali Brice Clotaire Oligui Nguema, kreu i Rojës republikane, u emërua president i komitetit të përkohshëm. Zoti Oligui është kushëri i zotit Bongo. Ai kishte shërbyer si truprojë i babait të zotit Bongo, ish-Presidentit Omar Bongo, dhe udhëhoqi shërbimin e zbulimit para se të emërohej si udhëheqës i rojës presidenciale.

Oficerët e ushtrisë, që udhëhoqën kryengritjen, njoftuan për grushtin e shtetit pasi komisioni shtetëror zgjedhor shpalli zotin Bongo fitues të mandatit të tretë presidencial në zgjedhjet e së shtunës. Junta ushtarake anuloi rezultatet e zgjedhjeve, shpërbëri institucionet dhe mbylli të gjithë kufijtë deri në një vendim të ardhshëm.

Ndërkohë, zoti Bongo u shfaq në një video dhe apeloi për mbështetje.

“Jam në rezidencë. Nuk e di se çfarë po ndodh. Prandaj, ju bëj thirrje që të bëni zhurmë, bëni zhurmë, bëni zhurmë”, thotë zoti Bongo.

Por, turmat që vërshuan në rrugët e kryeqytetit Libreville, festuan lajmin për grusht shteti. Disa nga pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur që familja Bongo u rrëzua nga pushteti.

“Është çlirim i të gjithë vendit, diçka që kam ëndërruar, diçka që kam parë në vendet perëndimore, e që tani është bërë realitet për ne, qytetarët e Gabonit. Jemi krenarë dhe shumë të lumtur që ushtria ka vendosur të mbrojë drejtësinë dhe e falënderojmë Zotin për këtë gjë. Në Gabon, ka Zot, dhe Zoti u është përgjigjur lutjeve tona”, tha zoti Max Beni, një banor i Libreville.

Presidenti Bongo mori pozitën e presidentit në vitin 2009 pas vdekjes së babait të tij, i cili kishte qeverisur Gabonin e pasur me naftë për 42 vjet.

Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se janë të shqetësuara për zhvillimet në Gabon.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështje të sigurisë kombëtare, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të mbështesin njerëzit në rajon, vazhdojnë të jenë përkrahës të qytetarëve të Gabonit dhe kërkesës së tyre për qeverisje demokratike.”

“Natyrisht është shumë shqetësuese të shohim edhe një shtet ku oficerët e ushtrisë kanë bërë hapa të rrezikshëm dhe të pakujdesshëm, duke provuar të marrin pushtetin nga qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike”, deklaroi zoti Kirby.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk planifikon evakuimin e shtetasve evropianë nga Gaboni, dhe tha se grusht shtetit të juntës ushtarake i kanë paraprirë zgjedhjet e parregullta të përgjithshme në këtë vend.

“Natyrisht, grushti i shtetit nuk është zgjidhje. Por, nuk duhet të harrojmë se në Gabon, paraprakisht, ishin mbajtur zgjedhje plot me parregullsi dhe se ka grushte shteti ushtarake dhe ka grushte shteti institucionale. Aktualisht nuk kemi plane për evakuuim nga Gaboni. Situata është e qetë dhe nuk shohim ndonjë rrezik përshkallëzimi të dhunës, apo të një situate që do të përbënte rrezik... Janë rreth 10,000 shtetas evropianë në Gabon, por asnjë shtet nuk ka shprehur ndonjë shqetësim”, tha Borrell./VOA

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?